Kapiteni Artur Meçollari, i cili ka shërbyer një vit në Kabul dhe ka qenë ish-këshilltari më i lartë në personelin e NATO-së, shprehet i bindur se strehimi i afganëve nuk përbën ndonjë rrezik për vendin tonë.
Në një intervistë për Top Neës, Meçollari u shpreh se vendimi i Shqipërisë për t’i strehuar ata është i drejtë. Ai zbuloi se ata quheshin përkthyes por në realitet kanë qenë informatorë të amerikanëve dhe kishin liri lëvizjeje në ambientet më strikte.
“Janë njerëz të sigurtë, ndihmësit më të mëdhenj për një vend si Afganistani. Ata jetonin në qytet, janë njerëz që kanë ndihmuar NATON. Shumë njerëz kanë shpëtuar, është identifikuar kërcënimi falë tyre.”, tha ai.
Ndër të tjera Meçollari u shpreh se Talebanët nuk mund të shtrijnë kërcënimin e tyre në vende kaq të largëta për ta për shkak të kapaciteteve të limituara.
Nga pikëpamja e kërcënimit, që Talebanët të ndikojnë në një vend si Shqipëria, mundësia është e ulët për shkak të kapaciteteve dhe qëllimit që ata kanë. Afganistani ka pasur kapacitete por këto janë të kufizuara dhe të limituara brenda vendit të tyre. Ata do të qëndrojnë përkohësisht, deri në plotësimin e dokumenteve. Është detyrim nga pikëpamja e të Drejtës ndërkombëtare për t’i ndihmuar.







































