Ministria e Kulturës grup hetimi për problemet me Cirkun/ Julian Kazazi: Çdo zyrtar të mbajë përgjegjësi për dëmet që ka sjellë

0
348

Artistët e Cirkut Kombëtar janë në pritje të përgjigjes, që do të ketë Ministria e Kulturës për problemet me të cilat janë përballur javët e fundit. Ministria ka ngritur një grup hetimor që po merret me Cirkun Kombëtar, pas vendimit të zyrës së përmbarimit për çadrën e cirkut, që kërkon që pronarit të truallit ti lirohet hapësira e zënë. Julian Kazazi kryetar i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Cirkut Kombëtar thotë se po ndiqet me interes ky problem. Në reagimin e tij ai bën me dije dhe për veprimet, që ka nisur Ministria e Kulturës. “Sindikata e Pavarur e Artistëve të Cirkut Kombëtar e ka ndjekur me interesimin më të madh këtë problem kaq madhor dhe si pasojë e mosveprimeve nga ana e drejtuesve të Cirkut Kombëtar dhe përfaqësuesve ligjorë të Ministrisë së Kulturës, kjo e fundit nisi një grup hetimor për personat përgjegjës, të cilët nuk kanë zbatuar detyrën për mbrojtjen ligjore në seancën e gjyqit për truallin, ku është vendosur cirku prej 50 vitesh”, thotë Kazazi. Në reagimin e tij kreu i sindikatës Julian Kazazi vijon se ata i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës me kërkesa dhe janë në pritje të përgjigjes. Sipas tij, kërkohet dhe zhbllokimi i fondeve të cirkut. “Ministrisë i kemi kërkuar, që në mënyrë urgjente t’i drejtohej gjykatës për rishikimin e afatit të ankimimit dhe pezullimin e urdhrit të ekzekutimit nga ana e përmbaruesit dhe zhbllokimin e fondeve të cirkut. Me atë të shkresës nr. 3724/1  datë 29.7. 2021, u vumë në dijeni se ministria i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për këto dy kërkesa. Jemi në pritje të shikojmë nëse këto dy kërkesa do merren për bazë nga gjykata apo jo”, tregon Julian Kazazi kryetar i sindikatës.

Shqetësimi i artistëve

Në reagimin e tij Julian Kazazi e cilëson një vendim të padrejtë çfarë është bërë deri tani për Cirkun Kombëtar. Ai thotë se në atë truall ushtron aktivitetin një institucion kombëtar. “Normalisht Sindikata e Artistëve po e ndjek këtë çështje dhe kërkon që të mbahet përgjegjësi ligjore për çdo zyrtar, që me veprimet apo mosveprimet e tij i ka sjellë cirkut një dëm kaq të madh duke i ikur dhe 1073 m2 truall të tjerë”, vijon ai. Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Cirkut, Julian Kazazi herë pas here ka reaguar për problemet. Kur vetëm disa javë na ndajnë nga sezoni i ri artistik, ai thotë se priten vendimet e ministrisë. “Artistët e cirkut janë të shqetësuar për fillimin e sezonit artistik, pasi jemi para disa fakteve që janë, e para se zyra e përmbarimit ka bllokuar fondin e aktiviteteve dhe pa fonde cirku nuk mund të rinisë sezonin artistik, e dyta është se ndaj titullarit të Cirkut Kombëtar janë nisur hetimet nga grupi hetimor i Ministrisë së Kulturës me datë 27.7. 2021. Jemi në pritje të përgjigjes apo vendimeve përfundimtare që do marri Ministria e Kulturës për këtë çështje. Pas kësaj do të marrim hapat e nevojshme për të rinisur sezonin artistik”, thotë Kazazi. Në një letër dërguar më 16 korrik institucioneve,  SPASH shprehej se me vendimin e zyrës së përmbarimit shkatërrohej Cirku Kombëtar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here