Vendimi i qeverisë, ja kush janë familjet që do të përfitojnë tekste falas për fëmijët dhe procedurat që duhen ndjekur

0
207

Qeveria ka miratuar një vendim përmes të cilit do të mundësohet dhënia e teksteve falas për disa kategori nxënësish. Sipas tij, përfitojnë tekste falas të gjithë ata nxënës nga klasa e dytë deri në klasë të nëntë, të cilët ndjekin arsimin në institucionet publike arsimore, në institucionet e paraburgimit, të vuajtjes së dënimit po ashtu edhe në institucione të përkujdesjes shoqërore. Po ashtu edhe për nxënës e arsimit të mesëm ka disa kategori, të cilat përfitojnë librat falas. Nxënës të cilët kanë përfituar statusin e jetimit, vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, janë me aftësi të kufizuara, kanë pjesëtar të familjes të paaftë për punë, vijnë nga familje ku kryefamiljari përfiton pension invaliditeti apo pension pleqërie. Ndërkohë po ashtu disa kategori të tjera që përfitojnë libra falas janë edhe nxënësit romë e egjiptianë, nxënës që gëzojnë statusin e të verbrit, të cilët pajisen me tekste shkollore të transkriptuara në shkrimin e tyre, nxënës që janë viktima të trafikimit ose janë të rrezikuar prej tij si dhe nxënës të cilët kanë humbur një familjar gjatë shërbimit në Policinë e Shtetit, në Gardën e Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm e të tjerë. “Kategoritë që përfitojnë tekste në përdorim falas në arsimin parauniversitar janë: a) Nxënësit, që ndjekin arsimin bazë, në klasën e parë, në institucionet arsimore publike, në institucionet e paraburgimit, të vuajtjes së dënimit dhe në institucione të përkujdesjes shoqërore, të cilëve u jepen tekstet shkollore të reja, çdo vit, në përdorim falas. b) Nxënësit në arsimin e mesëm të lartë në institucionet arsimore publike, që i përkasin kategorive: i. Kanë përfituar statusin e jetimit; ii. Vijnë nga familje të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike; iii. Janë me aftësi të kufizuara; iv. Vijnë nga familje që kanë anëtarë të cilët deklarohen të paaftë për punë; v. Vijnë nga familje ku kryefamiljari përfiton pension invaliditeti shteti ose pension pleqërie; vi. I përkasin kategorisë rome e egjiptiane; vii. Gëzojnë statusin e të verbrit;viii. Janë viktima të trafikimit ose gëzojnë statusin e viktimës së mundshme”, thuhet në vendimin e botuar.

Ja procedurat që duhen ndjekur

Nga ana tjetër procedura për pajisjen me tekste shkollore në përdorim falas realizohet me përgatitjen e listave të teksteve nga institucionet brenda muajit korrik të çdo viti. Po ashtu blerja e teksteve të reja shkollore nga klasa e parë deri në klasën e nëntë realizohet nga institucioni arsimor publik në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse si përshembull institucionet e paraburgimit, të vuajtjes së dënimit si dhe institucionet e përkujdesjes shoqërore. Sa i përket likuidimit të faturës tatimore ndaj shtëpive botuese, sipas vendimit pagesa do të kryhet nga zyra vendore e arsimit parauniversitar, me fondet e miratuara si “Transfertë tek individët”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here