Kampionati i Kosovës po ia merr pak nga pak lojtarët më të mirë Kategorisë Superiore të Shqipërisë. Kjo për faktin se në Kosovë ka më shumë ndershmëri në angazhimin e futbollistëve në fushë, pra ata që punojnë më shumë dhe janë në formë të mirë sportive kanë shanse të luajnë titullarë, duke evituar kështu disa fenomene nepotizmi dhe vese të mbrapshta që ka në futbollin shqiptar. Jo vetëm kaq, por klubet kosovare paguajnë më mirë dhe ky është fakt, prandaj dhe shumë lojtarë cilësorë të kampionatit shqiptar kanë zgjedhur të luajnë në kampionatin kosovar, me skuadrat kryesore të IPKO Superligës atje. Edhe në këtë merkato vere prirjet më të shumta janë ato dalëse, që do të thotë se lojtarë cilësorë nga klubet e Shqipërisë kanë tendencë të firmosin për klubet e Kosovës. Dje ndodhi edhe zyrtarisht një lëvizje e tillë, pasi Kristi Vangjeli u bë pjesë e klubit të njohur kosovar, Prishtinës.
Vangjeli, një veteran në kampionatin kosovar
Ish-futbollisti i Përfaqësueses së Shqipërisë, Kristi Vangjeli i është bashkuar skuadrës së Prishtinës. Kampionia e Kosovës në futboll, të enjten e ka prezantuar Vangjelin por nuk i ka bërë të ditura detajet e kontratës. Vangjeli edicionin e fundit ishte pjesë e skuadrës së Tiranës kurse karrierë ka bërë edhe te Adelaide (Australi), Astra Giurgiu (Rumani), Skënderbeu i Korçës, Chernomoretsi (Ukrainë) dhe Arisi (Greqi). “408 ndeshje në këmbët e tij, prej tyre 41 ndeshje në Kupat e Evropës me klube, 35 paraqitje me Kombëtaren ‘A’ të Shqipërisë. Futbollist me përvojë të madhe në repartin mbrojtës dhe klubi ynë ka kënaqësinë të pranoj një futbollist të tillë në gjirin e saj”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e Prishtinës. Ndërkohë, Vangjeli ka thënë se është i lumtur që do të jetë pjesë e Prishtinës dhe se do të mundohet që ta ndihmojë me përvojën e tij. “Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e klubit më të madh në Kosovë. Ndjehem mirë që do të vazhdoj të vesh fanellën bardh e kaltër, kjo një kënaqësi më tepër. Vije në një ekip kampion dhe shpresoj që gjithë atë përvojë dhe forcën në karrierën time t’ia përcjell ekipit këtu, të ndihmoj në maksimum, qoftë për të arritur kalimin e turneve në Evropë, qoftë për të arritur prapë objektivin kryesor të klubit, titullin e kampionit”, deklaroi ndër të tjera Vangjeli.
Prishtina mbushet me lojtarë të Superiores
Largimi i Vangjelit nga Superiorja nuk është as i pari e nuk do të jetë as i fundit. Siç thamë, në Kosovë po shkojnë shumë sportistë cilësorë dhe Vangjeli ishte një prej tyre. Atje ai do të gjejë lojtarë me të cilët ka luajtur më parë tek Skënderbeu apo me ekipet e tjera. Sepse, pikërisht tek Prishtina, Vangjeli do të gjejë shumë futbollistë që kanë spikatur në kampionatin shqiptar. “Të them të drejtën, kuptohet, për ardhjen time kanë ndikuar edhe shokët që kam pasur në skuadër si Lilaj, Mici, Abazi e Muça apo këmbëngulja e klubit që të më ketë në radhët e tij, duke shprehur besim tek unë, plus është ekip që lufton gjithmonë për titullin e kampionit. “Sa i përket moshës sime, do ta tregojë fusha. Besoj se jam si vera, sa më e vjetër as më e mirë”, theksoi në fund mbrojtësi korçar.









































