Kreu i klubit të Realit të Madridit ironizon lojtarët dhe stafin e tij teknik, duke u vënë epitete nga më të ulëtat, madje dhe ndaj “yllit” portugez
Reali i Madridit është përfshirë nga një valë pasigurie si pasojë e skandalit të përgjimeve ku në fokus është presidenti Florentino Perez, i cili përdor fjalë fyese e poshtëruese ndaj lojtarëve me emër të klubit si dhe pjesëtarëve të stafit, një skandal që ka marrë përmasa të frikshme. Ndërkohë, pas publikimit të regjistrimeve audio të Florentino Perez, ku denigronte Iker Kasijas dhe Raul, “El Confidencial” publikon të tjera materiale të presidentit të Real Madrid. këtë herë emrat e përmendur janë Kristiano Ronaldo dhe Hoze Murinjo. Audiot e regjistruara datojnë në 2012 dhe për Kristiano Ronaldon, Perez shprehet se portugezi është i çmendur. “Është i çmendur, ky djalë është një budalla, i sëmurë. Ju besoni se ky djalë është normal, por nuk është normal, pasi përndryshe nuk do të bënte gjërat që bën. Budallallëkun e fundit që bëri e panë të gjithë. Pse mendoni se i bën këto çmenduri?”, nënvizoi ai. Më pas Perez zgjeron diskutimin edhe për Murinjon që në atë kohë ishte trajneri i Realit duke u shprehur, “Mendes nuk ka pushtet mbi të, ashtu si dhe Murinjo. Edhe për intervistat, për asgjë. Këta njerëz kanë një ego të tmerrshme, të dy janë të llastuar, trajneri është ai, nuk e shohin realitetin. Nëse do të ishin gatuar ndryshe mund të fitonin shumë më tepër me të drejtat e imazhit”. Skandali shpërtheu fillimisht pas publikimit të “El Confidencial” të disa regjistrimeve të tjera. Në 2006 Perez fliste me tone të ashpra për flamujt e skuadrës Kasijas dhe Real që u përkufizonte si të papërshtatshëm për një skuadër si Reali, praktikisht një peshë për klubin. Si përgjigje Perez provoi të sqaronte çështjen përmes një komunikate, ku shkruan se frazat janë deformuar. “Frazat e riprodhuara janë përmendur në biseda të regjistruara në mënyrë të paligjshme nga zoti Jose Antonio Abellan që prej vitesh tenton ti shesë pa sukses. Është surprizues fakti që pavarësisht kohës së kaluar e përditshmja “El Confidencial” i publikoi ditën e djeshme. Janë fraza të veçanta bashkëbisedimi të shkëputura nga konteksti. E kuptoj faktin që publikohen tani, pasi kjo është e lidhur me punën time si një ndër promotorët e Superligës. Ja kam besuar çështjen në dorë avokatëve të mi që po studiojnë veprimet ligjore që mund të ndërmerren”, theksoi për mediat kreu i klubit të Realit të Madridit. Duket qartë se Perez ka pasur pakënaqësi me shumë lojtarë të klubit madrilen e madhe dhe me vetë trajnerët që ai i kishte përzgjedhur për të drejtuar klubin. Ironike duket epiteti “budalla” që i ka vendosur Ronaldos, lojtari që ka një kontribut thelbësor në sukseset e Realit gjatë dekadës së fundit, me shumë titujt kampionë dhe trofe të UEFA Champions League.