Gazetari Arian Çani bëri një reagim të revoltuar mbrëmjen e djeshme në nisje të emisionit të tij ‘Zonë e lirë’.Ad by Valueimpression
Nisur nga aksidenti tragjik në aksin Fier-Vlorë që iu mori jetën 4 anëtarëve të një familjeje, Çani tha me tone të forta se rrugët janë të mbushura me qen, jo vetëm me katër këmbë.
Ai u shpreh se jeta në Shqipëri nuk ka vlerë dhe shtoi se nëse kjo ngjarje do të ndodhte në një vend tjetër, qytetarët do të kishin dalë për të protestuar.
“Jo më kot them kujdes. Rrugët janë mbushur me qen, jo vetëm me katër këmbë, por edhe me dy këmbë. Kujdes! Të gjithë ju që keni makinat e vogla prej kartoni, të cilat nuk ju mbrojnë jetën, më mirë kalojini pushimet në Greqi, si familja e shkretë që erdhi nga Greqia për të kaluar pushimet ca ditë në jug se sa të vini këtu dhe të ikni për lesh. Kjo është një situatë e tmerrshme. Pse është situatë e tmerrshme kjo? Sepse mund t’i ndodhte çdonjërit prej nesh. Kujtdo. Por ndryshe nga vendet e tjera që po të ndodhte një ngjarje e tillë kaq e rëndë me një Audi që ecën me 200 kilometra në orë në këto rrugë që nuk kanë barriera ndarëse dhe del makina në fushë, pale se ç’gjen atje përveç bagëtive, mund të gjente dhe njerëz të tjerë dhe që përfundon në këtë farë feje, do të thotë që jeta në Shqipëri e ka vlerën zero. Kjo është e vërteta, pa e zbukuruar. Çdo njeri prej nesh mund të ishte sot në vend të asaj familje që iku nga kjo jetë kot fare. Në një vend tjetër normal, do ishin ngritur qytetarët. Do kishin protestuar heshturazi me një qiri në dorë. Ju do thoni “Arjan këtu nuk e bëjnë se vapë e madhe”. Jo, jo. Këtu nuk e bëjnë edhe po të ishte dimër. Do të thotë jeta në Shqipëri ka vlerën zero. Kjo nuk do të thotë që jeta nuk vazhdon. Vazhdon. Vazhdon edhe në Shqipëri ku jeta e ka vlerën zero. Derisa të bëhemi zero të gjithë”, u shpreh Çani.
4 anëtarë të një familjeje nga Patosi u shuan në një aksident tragjik të premten, në aksin Fier-Vlorë në vendin e njohur si “Kripa”. Viktimat janë Eduart Gushi, 44 vjeç, bashkëshortja e tij Silvana 33 vjeçe dhe 2 vajzat e çiftit, Anastasia dhe Eva, 14 dhe 9 vjeç. Familja sapo ishte kthyer nga Greqia dhe ishte duke shkuar me pushime në bregdet me një makinë Toyota me targa greke, kur një makinë luksoze Audi, që drejtohej nga 22-vjeçari Igli Madani humbi kontrollin dhe i goditi nga pas.








































