Kryeministri Edi Rama duket se është tërhequr nga emërimi i njeriut të Tom Doshit në Kadastrën e Shkodrës. Kjo u bë e ditur dje nga ana e Partisë Demokratike. Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj deklaroi se përpjekja për të ndarë plaçkën e rrëmbyer në masakrën elektorale të 25 prillit midis Ramës dhe Doshit u ndal nga denoncimi i tyre.“Pak ditë më parë Partia Demokratike denoncoi zyrtarizimin e aleancës së Edi Ramës dhe Tom Doshit nëpërmjet emërimit të Serdar Hoxhës, kandidat për deputet të PSD, në krye të IKMT-së së Shkodrës. Serdar Hoxha nuk arriti të kapë pozicionin e rëndësishëm, nëpërmjet të cilit nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të mbushte xhepat e padronëve të tij në kurriz të interesave të qytetarëve. Largimi i Serdar Hoxhës pa u futur në zyrë është një lajm i mirë për qytetarët, por lajmi i keq është komandimi në krye të IKMT-së Shkodër të Guri Seferit, një tjetër eksponent i Partisë Socialiste që ka lidhje të forta me krimin”, shtoi Alibeaj.Sipas tij ai është në atë detyrë për shkak të lidhjes me trafikun e drogës.
“Shqiptarët nuk meritojnë që një ushtar i krimit si Serdar Hoxha të zëvendësohet më një tjetër ushtar të krimit si Guri Seferi. Shkodra dhe Shqipëria ka djem dhe vajza të jashtëzakonshëm, të mirëshkolluar dhe që mund ti shërbejnë vendit në administratën e lartë shtetërore. Ne nuk e pranojmë këtë rokadë në dëm të interesit publik, shqiptarët nuk e pranojnë këtë rokadë në dëm të interesave të tyre”, tha Alibeaj. Ish-deputeti u shpreh se dekriminalizimi i politikës dhe institucioneve publike mbetet misioni ynë dhe ne do të luftojmë bashkë me shumicën e shqiptarëve që politika të pastrohet nga lidhjet me krimin dhe institucionet t’u kthehen qytetarëve.“Detyra jonë ndaj shqiptarëve është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend”, tha ai.









































