Qeveria duket se nuk do të lehtësojë masat e pandemisë. Edhe pse në vend prej kohësh tashmë numri i rasteve është ulur ndjeshëm dhe pandemia duket se është drejt zhdukjes, masat kufizuese vijojnë që të jenë ende në fuqi. Prej disa muajsh, vendi u përball me shifra të larta infektimesh dhe humbje jete nga Covid, ndërsa kohët e fundit ka pasur një ulje drastike të shifrave. Gjatë javëve të fundit numri i rasteve ditore pozitive me Covid ka qenë shumë i ulët, po ashtu edhe numri i vdekjeve. Ndërkohë, 2 raste të reja infeksioni dhe asnjë viktimë, ky është bilanci i 24 orëve të fundit të situatës me pandeminë e Covid në vend. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se aktualisht, janë 78 pacientë aktivë me Covid-19 në vend, ndërsa po marrin trajtim spitalor të specializuar 3 pacientë, njëri prej të cilëve është në terapi intensive. Sipas ministrisë, janë shëruar 11 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 129,966 që nga fillimi i epidemisë. Që nga fillimi i pandemisë, numri i personave të infektuar në vend ka shkuar në 132,499, ndërsa ai i viktimave në 2,455. “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën me dije se në 24 orët e fundit janë kryer 2803 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 dy qytetarë: 1 rast në Tiranë dhe 1 në Vaun e Dejës. Aktualisht janë 78 pacientë aktivë me Covid-19 në vend. Po marrin trajtim spitalor të specializuar 3 pacientë, njëri prej të cilëve është në terapi intensive. Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv. Janë shëruar 11 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 129,966 që nga fillimi i epidemisë”, thuhet në njoftim.
Masat kufizuese po përdoren për të gjobitur
Ndërkohë edhe pse numri i infektimeve dhe rasteve të jetëve të humbura nga Covid ka një rënie drastike, orari kufizues nuk po hiqet dhe kjo duket se është një alibi për të gjobitur qytetarët dhe bizneset, pasi policia pas orës 23:00 gjobit shoferët po ashtu edhe qytetarët, të cilët nuk respektojnë masat anti-Covid. Por, pavarësisht fashës orare, baret dhe restorantet nuk respektojnë orën policore. Shumë lokale dhe restorante në jug, qëndrojnë të hapura deri në orët e para të mëngjesit duke mos respektuar masat e vendosura nga Komiteti. Kjo mesa duket falë ryshfeteve dhe ndikimit në polici. Ata të cilët janë më të prekur janë bizneset, të cilët nuk marrin asnjë mbështetje dhe respektojnë masat kufizuese, por edhe qytetarët të cilëve u duhet që të lëvizin për probleme të ndryshme. Nga ana tjetër, Komiteti Teknik i Ekspertëve i mbledhur pak javë më parë bëri me dije, se me përmirësimin e situatës nga Covid-19 dhe nëse numri i rasteve do të ulej ndjeshëm do të kishte edhe lehtësim të mëtejshëm të masave kufizuese. Por, mesa duket edhe pse numri i infektimeve dhe rasteve të jetëve të humbura nga Covid-19 ka një rënie drastike, orari kufizues vijon të mbetet ende në fuqi.