Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për të shpallur “non grata”, duket se ka shqetësuar tej mase ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit pas vendimit të DASH, është hedhur në veprim për t’u mbrojtur, ndërsa po lëviz çdo gur për t’u mbrojtur dhe për të pastruar njollën që i kanë vendosur amerikanët. Lëvizjen e parë kundër amerikanëve, ish-kryeministri Berisha e ka dhënë me shfaqjen e ambicies për të drejtuar sërish Partinë Demokratike, ndërkohë që sikur të mos mjaftonte kjo, ai ka vënë në lëvizje edhe Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, e cila tashmë po lobon për të mbrojtur figurën e tij në SHBA.
Berisha vë në lëvizje shoqatën “Vatra”
Më konkretisht, kjo organizatë ka publikuar dje një deklaratë të gjatë, ku shprehet se akuzuat e ngritura nga Departamenti Amerikan i Shtetit në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha i kanë shqetësuar tej mase. Sipas shoqatës “Vatra” Berisha është viktimë e lobistëve që nuk ndajnë qëndrim të njëjtë me të. “Shpallja “non grata” e Dr. Sali Berishës për ne vatranët shqiptaro-amerikanë, ka me vete shumë pikëpyetje. Në situatën kur nuk jepen argumenta dhe evidenca mbi të cilat është bazuar ky vendim, kjo na bën të mendojmë se më shumë sesa një masë e marrë bazuar në principe amerikane, ajo është marrë nën trysni grupesh lobiste për interesa të caktuara. Akuzat ndaj një miku të shqiptaro-amerikanëve e veçanërisht të vatranëve, siç është Dr. Berisha, pa asnjë bazë ligjore, pa asnjë evidencë apo prove konkrete, pa asnjë akt padi të ngritur në jetën e tij, na kanë shqetësuar pa masë”, thuhet në deklaratën e shoqatës “Vatra”.
Berisha kërkon t’i shpëtojë ndëshkimit amerikan
Por përmes kësaj strategjie, Berisha kërkon t’i shpëtojë ndëshkimit amerikan, pasi si për koincidencë shpallja “non grata” është vetëm një telash, pasi SPAK ka rihapur edhe dosjet e vjetra të bujshme si ajo e “Gërdecit” dhe “21 Janarit”, hetimi këto që të çojnë tek ish-kryeministri. Kështu që, në kushtet kur historia ka treguar se personat e shpallur të padëshiruar nga amerikanët janë përballur me një sërë telashesh, sikundër ndodhi me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, të cilin e hetoi dhe dënoi SPAK, ish-kryeministri Sali Berisha po përdor shoqatën “Vatra” për të pastruar emrin e tij. Nga ana tjetër, në deklaratën e saj, Federata Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, kërkon të dijë me shumë detaje rreth shpalljes “non grata” të Berishës, ndërsa mes të tjerash kundërshton fort vendimin e DASH për shpalljen “non grata” të Berishës. “Anëtarët e Federatës Pan-Shqiptare Vatra, kudo që jetojnë në të gjitha anët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do t’u kërkojnë përfaqësuesve të popullit amerikan, për të cilët ata kanë votuar, që të ngrenë këtë problem me të drejtën e tyre që kanë për t’i kërkuar shpjegime administratës së z. Biden të argumentojnë me fakte vërtetësinë e akuzave që kanë sjellë një masë të tillë kaq ekstreme. Në të kundërt ata duhet të lirojnë Dr. Berishën nga barra e një përgjegjësie morale e cila nuk i përket vetëm atij dhe nuk i nderon as ata që e kanë aplikuar atë, nëse nuk kanë fakte”, shkruhet në deklaratën e shoqatës “Vatra”.