Nishani shpërthen në akuza ndaj kreut të PD: Atë që Rama bëri më 25 prill me qytetarët, po e bën Basha me demokratët

0
292

Ish-presidenti Bujar Nishani, ka shpërthyer në akuza të forta dje ndaj kreut aktual të PD Lulzim Bashës. Ai tha se kandidatët e tjerë përveç tij nuk kanë pasur mundësi për të organizuar takime pasi degët dhe drejtuesit e tyre nuk i kanë lejuar. Sipas tij, të njëjtën gjë që bëri kryeministri Edi Rama në zgjedhjet e 25 prillit, atë po bën dhe Basha brenda partisë. “Gabojnë rëndë ata që mendojnë se mund ta marrin peng PD-në. Nuk ka pasur një garë të barabartë dhe të ndershme, kandidatët e tjerë veç Bashës nuk kanë pasur mundësi infrastrukturore, drejtuesit e degëve lokale kanë refuzuar që të organizojnë takimet për kandidatët e tjerë. 50% e anëtarësisë është zhdukur brenda 3 muajsh. PD sot është në një rrezik të madh. Shumica e demokratëve janë zemërthyer për këtë. Atë që Rama bëri më 25 prill me qytetarët Basha e ka bërë brenda PD me anëtarët. Situata në PD është shumë e rëndë dhe duhet ndryshuar. Unë jam njeri që vlerësoj institucionet, kjo mundësi është e pamundur sot, partia s’ka institucionet e ankimit”, tha ai. Kreu i Këshillit Kombëtar u shpreh se zgjedhjet brenda PD janë një maskaradë elektorale. Ai deklaroi se kushdo që do të përpiqet ta kthejë PD në fasadë nuk do t’ia arrijë dot. Sipas tij demokratët nuk do ta lejojnë PD të rrënohet akoma edhe më shumë. “Sot kemi një maskaradë elektorale, më vjen keq ta them këtë, por edhe unë jam përgjegjës si shumë demokratë të tjerë, kemi lejuar që të vazhdojë projekti për të rrënuar PD-në. Unë sot kam një apel për themeluesit e PD-së, për rininë, do iu them që të gjithë ata që kanë marrë përsipër ta kthejnë PD në fasadë, kanë marrë përsipër një mision të pamundur. PD është e vetmja shpresë për të bërë të mundur daljen e shqiptarëve nga kjo errësirë, që me gjasa do të vi të thellohet dhe në katër vitet e ardhshme, nga një regjim që ka prishur çdo standard”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here