Miqësoret e qershorit nxorën zbuluar Rejën, ekipi me probleme në çdo repart, grupi jashtë kontrollit të trajnerit

0
209

Kombëtarja luajti dy takime miqësore në këto ditë të para të qershorit, ku barazoi fillimisht 0-0 me Uellsin e më pas humbi 3-1 me Çekinë. Përtej rezultateve, Kombëtarja dukej qartë se kishte probleme organizimi në lojë e për pasojë i mungon qartësia që të çon tek rezultatet e duhura. Trajneri Edi reja konfirmoi edhe pas këtyre dy takimeve se është shumë i vjetër për të drejtuar një ekip të ri. Kjo vjetërsi nuk lidhet thjesht vetëm me moshën e tij, tmerrësisht e madhe për një trajner futbolli, por me mentalitetin e organizimit të lojës në planin taktik, ku skemat e tij të lexueshme 3-5-2 me të cilat është fiksuar veterani italian janë të dala boje dhe nuk prodhojnë efikasitetin e duhur. Shqipëria e trajnerit Reja ka probleme në çdo repart, si në mbrojtje, në mesfushë e veçanërisht në sulm. Në repartin ofensiv nuk ka lojtarë që bëjnë diferencën dhe me përjashtim të Cikalleshit që shënon ndonjë gol nderi nga repertori i tij i zakonshëm dhe falë forcës fizike, lojtarët e tjerë të sulmit janë “hije”, krejtësisht jashtë linjës, gjë që duhet ta nxisë teknikun të seleksionojë më mirë kandidaturat. Për momentin, përfaqësueses tonë i mungon një goleador rrace, një finalizues i suksesshëm. Probleme ka dhe mesfusha, e cila lidhet dobët dhe nuk i bën mirë të dy fazat e lojës, kurse mbrojtja, si rrallë në këto ndeshjet e fundit, pati probleme në mbulimin e kundërshtarëve, diçka që la shije të hidhur. Ajo që i vë kapak kësaj analize është fakti se shumë titullarë nuk u paraqitën në këto ndeshje, duke treguar se Reja nuk e ka kontrollin e lojtarëve dhe kuqezinjtë veteranë i vijnë sipas tekave në ekip. Me pak fjalë, trajneri po fsheh të vërtetat negative të këtij skuadre, duke u përpjekur t’i japë vetes kohë.

Reja i vë grupit notën “10”, por e di që grupin s’e ka nën kontroll

Trajneri Edi Reja theksoi pas ndeshjes se humbja 3-1 ndaj Republikës Çeke ishte e pamerituar për Shqipërinë pasi kuqezinjtë treguan rritje në lojë, ndërkohë që mungoi vetëm rezultati. “Më vjen keq që humbëm me këtë rezultat pasi nuk e meritonim të humbnim 3-1. Nuk do të merremi me gabimet arbitrore sepse ishte miqësore. Sigurisht disa gjëra pozitive po vijnë dalëngadalë. Për impenjimin skuadrës i jap notën 10, lojtarët dhanë maksimumin pa u tërhequr në asnjë moment, jemi përballur me dy skuadra shumë të forta fizikisht, si me Uellsin dhe Çekinë ka lojtarë që kur nisin kundërsulme është e vështirë ti ndalosh. Duhet të përmirësohemi në pasat finale, me Uellsin u përpoqëm të zotëronim më shumë topin, një pjesë loje ja dolëm. Sigurisht ndikoi lodhja ditën e sotme, ndeshjen me Uellsin ishim më të freskët më të fortë, por bëmë një ndeshje të mirë sipas meje. Rezultati mund të ishte më i mirë duhet të jemi të ndërgjegjshëm që u përballëm me dy skuadra shumë të forta, e rëndësishme është të ulemi dhe të analizojmë, gabimet ndodhin por skuadra është në mbyllje të sezonit”, theksoi Reja, i cili, duke u rrëzuar thuajse në çdo ndeshje, herë nga humbja e vetekuilibrit e herë duke u përplasur me lojtarë e pjesëtarë stafi, po e bën rrugë dhe po konfirmon faktin se është shumë i vjetër për të drejtuar një skuadër të re.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here