Ambasadori italian në vendin tonë, Fabrizio Bucci, ka reaguar mbi krahasimet që bëhen ditët e fundit të Vlorës me Palermon e dikurshme sa i takon vrasjeve. Qyteti bregdetar ka shënuar shumë vrasje dhe shumë media e kanë krahasuar me Palermon e dikurshme, përfshirë dhe Gazetën Sot. Lidhur me këtë krahasim ka reaguar ambasadori italian, zoti Buci. Në një letër drejtuar gazetës, ambasadori e cilëson si të vjetërsuar këtë “stereotip”. Ai shprehet se Palermoja e sotshme nuk ka më asnjë ngjashmëri me Palermon e dikurshme. Gazeta po publikon më poshtë të plotë letrën e ambasadorit dhe po ashtu po bën një sqarim mbi shkrimin e pak ditëve më parë. Krahasimi i Vlorës me Palermon, padyshim që nuk ka qenë dashakeq. Më tepër është një klishe që ka mbetur nga vitet e shkuara. Shumë prej nesh janë rritur me filmat italianë të luftës kundër mafias dhe krahasimi ishte metaforik. Por Palermo përveçse sot është një zhvillim urbanistik, duhet theksuar se dhe dikur ka qenë një qytet i nivelit të lartë. Më poshtë letra e ambasadorit:
Letra e ambasadorit italian
I dashur Kryeredaktor, disa muaj më parë pata rastin t’i shkruaja një letër një kolegut tuaj të një tjetër gazete lidhur me një krahasim të padrejtë të Kalabrisë me problemin e kriminalitetit në këtë vend. Në atë kohë vura theksin në faktin se disa paragjykime ndaj Italisë ishte e vështirë të harroheshin edhe këtu në Shqipëri. Një vend që, fatkeqësisht është edhe ai, viktimë klishesh.








































