Opera “Vjosa” zë një vend të rëndësishëm në repertorin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si një nga veprat tërësisht shqiptare. TKOB ka publikuar një material rreth kësaj vepre dhe shkruan se “Vjosa” është me muzikë të kompozitorit Tish Daija, dhe libret të Llazër Siliqit. “Premiera e kësaj vepre u mbajt më 9 shkurt të vitit 1980”, shprehet TKOB. Interpretuesit e operës “Vjosa” ishin artistët më në zë të skenës operistike shqiptare, si: Edith Mihali, Shqipe Mingomataj, Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi, Hysen Koçia, Pëllumb Katroshi, Petrika Rrëmbeci, Emine Gjata, etj. Dirigjent Ermir Krantja, regjisore Drita Agolli, skenograf Ksenofon Dilo, mjeshtër kori Rozmari Jorganxhi. Personazhet dhe interpretët: Vjosa: Edith Mihali, Shqipe Mingomataj; Naska: Rajmonda Dabulla, Xhovana Doko, Valentina Qato; Muji: Gaqo Çako, Hysen Koçia, Gjergj Sulioti; Biraku: Lefter Besho, Pëllumb Katroshi; Sadiku: Ramiz Kovaçi, Burhan Spahiu; Zela: Luiza Papa, Emine Gjata, Mimika Martiri; Hana: Afërdita Pilkati, Z.Vukaj; Lulja: Myzejen Mullaj, Zeliha Sina; Çlirimi: Gaqo Zdruli, Luan Sula, Vangjo Kosta; Gjergji: Agim Quku, Petrika Rëmbeci; Fredi: Janaq Mici; Zadja: Xhovana Doko, Valentina Qato. Tish Daija lindi më 30 janar 1926 në Shkodër, në një familje të thjeshtë. Pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit Françeskan”, ku nën drejtimin e P. Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut merr mësimet e para muzikore. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, “Bjeri Gajdes Gajdexhi” etj. Mbas studimeve emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Tish Daija ka qenë udhëheqësi artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për 18 vjet (1962-1980). Autor i veprave si opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, etj. Tish Daija ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare në 3 tetor 2003.









































