Zbardhet memorandumi i presidentit Joe Biden për luftën ndaj korrupsionit ndërkombëtar. Të enjten ai foli rreth këtij prioriteti ndërsa gazeta ka siguruar dokumentin e plotë ku tregohet se vendet aleate përfshirë edhe Shqipërinë do të ndihmohen në luftën antikorrupsion. Në memorandum thuhet se do të kryhet një proces rishikimi ndërinstitucional për të ndihmuar dhe forcuar kapacitetin e autoriteteve si dhe bashkëpunimin me qeveritë partnere. Fokusi është i vendosur tek zbatimi i masave të transparencës, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies për të luftuar korrupsionin. Kjo sipas memorandumit, do t’u japë më shumë siguri qytetarëve për të patur informacion të qartë mbi programet, politikat apo shpenzimet. “Ndihmoni dhe forconi kapacitetin e autoriteteve dhe institucioneve vendore (përfshirë shtetin dhe atë lokal), si dhe qeveritë partnere dhe qeveritë e tjera në të gjitha nivelet, për të zbatuar masat e transparencës, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies, të cilat do të luftojnë korrupsionin dhe t’u sigurojnë qytetarëve të tyre me informacion të arritshëm dhe të përdorshëm në lidhje me programet, politikat dhe shpenzimet qeveritare”, thuhet në memorandum. Disa mënyra të tjera që lidhen me luftën ndaj korrupsionit është forcimi i institucioneve për të parandaluar atë kryesisht në projektet financiare si financimi i paligjshëm ose ryshfeti. Po ashtu rëndësi i jepet edhe luftës kundër pastrimit të parave, promovimin e transparencës financiare si dhe adresimit të personit që kërkon ryshfetin. “Të forcojmë kapacitetin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare dhe organeve shumëpalëshe të përqendruara në krijimin e normave globale antikorrupsion, rikuperimin e aseteve, promovimin e transparencës financiare, inkurajimin e qeverisë së hapur, forcimin e kornizave të institucioneve financiare për të parandaluar korrupsionin në projektet e financave të zhvillimit dhe luftimin e pastrimit të parave, financimit të paligjshëm dhe mitmarrjes, duke përfshirë kur është e mundur, adresimin e anës së kërkesës së ryshfetit”, theksohet në dokument.
Kërcënimi i sigurisë
Në memorandumin e presidentit Joe Biden flitet se korrupsioni kërcënon sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe shteteve të tjera aleate prandaj duhen përpjekje dhe luftë për ta parandaluar atë dhe për të siguruar përparësi të një qeverisje të përgjegjshme dhe transparente po ashtu. Sipas dokumentit, duhet mbështetje dhe forcimi i kapaciteteve të shoqërisë civile, mediave dhe aktorëve të llogaridhënies në mënyrë që korrupsioni të zbulohet, hetohet e më pas të sigurohet një mjedis i sigurtë për qytetarët. “Korrupsioni kërcënon sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, por duke parandaluar dhe luftuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe duke demonstruar përparësitë e qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, ne mund të sigurojmë një avantazh kritik. Mbështetja dhe forcimi i kapacitetit të shoqërisë civile, medias dhe aktorëve të tjerë të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies, duhet për të kryer kërkime dhe analiza mbi tendencat e korrupsionit, për të hetuar dhe zbuluar korrupsionin si dhe për të siguruar një mjedis të sigurt”, thuhet në dokument.








































