Gjykata Kushtetuese rrezikon të rrëzojë pushtetin vendor. Aktualisht 60 nga 61 bashkitë e vendit i drejton Partia Socialiste. Kjo e fundit doli fituese në zgjedhjet lokale të zhvilluara në 30 qershor të vitit 2019, ndonëse opozita i pati bojkotuar ato dhe presidenti Ilir Meta shtyu me një dekret të ri datën e mbajtjes së tyre me pretekstin se nuk garantohej demokracia dhe stabiliteti i vendit. Por sidoqoftë zgjedhjet u mbajtën më 30 qershor, ndërkohë që PS mori drejtimin e shumicës së bashkive me përjashtim të Bashkisë Shkodër. Të ndodhur përpara kësaj situate dhe në kushtet, ku Meta dhe opozita e udhëhequr nga PD-LSI nuk i njohin këto zgjedhje, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë paraqiti në korrik të vitit 2019 një ankimim në Gjykatën Kushtetuese, teksa e konsideroi procesin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit si antikushtetues për shkak të mungesës se alternativave në zgjedhje. Mirëpo, kur kanë kaluar gati 2 vjet pa një vendim për këtë çështje, Kushtuesja ka vendosur që ta ketë prioritet kërkesën e Shoqatës së Bashkive. Përmes një njoftimi të publikuar në faqen e saj zyrtare, Gjykata Kushtetuese bën me dije se padia e zonjës Ademi në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë do të shqyrtohet nga togat e zeza të institucionit më të lartë të drejtësisë në vend më 23 qershor në orën 10:00. Pra, pas gati 2 vjetësh, më në fund do marrim vesh nëse zgjedhjet lokale të 30 qershorit ishin apo jo legjitime, ku gjasat janë që Gjykata Kushtetuese të vendosë në favor të Shoqatës së Bashkive, duke rrëzuar kështu pushtetin vendor.
Në tetor priten zgjedhje lokale
Mirëpo ky vendim i Gjykatës Kushtetuese që mbështet Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, jo vetëm që rrëzon pushtetin vendor, por i hap rrugë edhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja lokale. Aktualisht 5 bashki janë pa kryetar dhe ndërkohë edhe Bashkia e Vlorës është kthyer në një “mollë sherri”, ç’ka tregon se mbajtja e zgjedhjeve është e domosdoshme. Sipas Kodit Zgjedhor, periudha më e mirë për të mbajtur zgjedhjet është vjeshta ose pranvera. Mirëpo, në kushtet kur Kushtetuesja do të vendosë për fatin e “Vendoreve” këtë muaj, ka zëra se vendi mund të shkojë në zgjedhje për pushtetin vendor qysh në tetor të këtij viti.
Rama-Basha nisin fushatën
Megjithatë, sinjalet se vendi do të shkojë në zgjedhje të reja lokale po japin edhe dy partitë e mëdha politike sikundër janë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Gazeta ka mësuar se një arsye që kryedemokrati Lulzim Basha vendosi që të mbante zgjedhjet në parti në 13 qershor është pikërisht çështja e zgjedhjeve vendore, pasi në rast se vendi shkon në tetor për zgjedhje, ai ka mundësi të mobilizohet. Po ashtu, sikundër pohuan të njëjtat burime, turin e takimeve me anëtarësinë në kuadër të zgjedhjeve për kreun e ri të PD, zoti Basha po e shfrytëzon edhe për të mbajtur të karikuar strukturat për zgjedhje. Ndërkohë nga ana tjetër edhe vetë kryeministri Edi Rama duket se nuk e ka shumë me qejf që gjithë bashkitë t’i drejtojë PS, kështu që edhe ai është shprehur gjatë takimeve me bashkëpunëtorët e të tij të ngushtë, që do pranojnë vendimin e Kushtetueses dhe nëse kjo e fundit kërkon ripërsëritjen e zgjedhjeve, për të dhe mazhorancën nuk ka asnjë problem. Madje, sinjalet se PS do pranojë të shkojë në zgjedhje lokale, e tregon edhe situata brenda saj, ku po zhvillon takime me strukturat dhe ka udhëzuar bazën të nisë përgatitjet për zgjedhje vendore. Pra, kemi një farë koordinimi mes PD dhe PS.









































