Google search engine
Home Sport Revolucion tek Bajerni, pas dy dekadash largohet Rumenige, e pason Oliver Kahn

Revolucion tek Bajerni, pas dy dekadash largohet Rumenige, e pason Oliver Kahn

0
262

Bajerni i Mynihut ka dominuar skenën e futbollit në Gjermani përgjatë gjithë historisë së futbollit gjerman, por sidomos vitet e fundit ai ka fituar titujt kampionë radhazi, duke mos u lënë asnjë shans rivalëve. Kjo është mundësuar falë menaxhimit të suksesshëm të klubit, i cili ka ditur të mbajë një profil të lartë me lojtarë cilësorë dhe stafe të përgatitur. Por një epokë është mbyllur e një tjetër po hapet në klubin bavarez, pasi i jep fund menaxhimit prej gati dy dekadash ikona e klubit Karl Heinz Rumenige e në vend të tij është emëruar një tjetër legjendë e klubit, Oliver Kahn. Ky i fundit ka fituar Champions me Bajernin, por ka luajtur me sukses në periudhë të vështirë edhe me përfaqësuesen e Gjermanisë. Pra “rrokada” është bërë dhe klubi është tani në proces përtëritjeje të ideve, me një version të ri, me një brez më të ri dhe padyshim që kjo pritet me interes. Janë vetë mediat sportive gjermanë që e cilësojnë këtë lëvizje një mbyllje dhe hapje epoke të re. Kështu, edhe zyrtarisht, Karl-Heinz Rumenige la para periudhës së programuar vendin e Shefit Ekzekutiv të Bajernit të Mynihut. Drejtuesi gjerman duhej të rrinte në detyrë deri në fund të dhjetorit, para se ti linte vendin Oliver Kahn, të përzgjedhur prej kohësh për të marrë trashëgiminë. Rumenige do të dalë nga skenë në 30 qershor, siç shpjegoi në një komunikatë zyrtare ku shprehet se ishte momenti i duhur për të përmbyllur një kapitull e për të nisur një të ri. “Strategjikisht është momenti i duhur, mbyllet bilanci dhe në të njëjtën kohë, hapet një kapitull i ri, edhe me trajnerin e ri. Është më mirë edhe për të ardhmen e Bajernit, që sezoni i ri të nisë me Kahn, si Shefin e ri Ekzekutiv”, tha ai. Dy vjet më parë Rumenige dhe Hënes, kishin vendosur të nisnin procesin e ndryshimit të brezave. Në këtë mënyrë që nga nëntori 2019 Herbert Hainer mori vendin e Presidentit, në vend të Hënes që mbeti ne Këshillin administrativ të klubit, me Rumenigen që tani i lë vendin Kahn. Që në muajt e fundit, Kahn kishte marrë përgjegjësitë për vendimet më të rëndësishme, si ai i zgjedhjes së Nagelsman si trajneri i ri, për të cilin u paguan 25 milionë që të lihej i lirë nga Leipzig. Pasi fitoi dy herë Championsin si lojtar u Bajernit, në nëntor të 1991 Rumenige u bë zëvendëspresident i klubit. Bashkë me Hënes e bënë klubin bavarez në një nga shoqëritë më të mirëstrukturuara në botë. Që nga 2002 ishte Shef Ekzekutiv, rol në të cilin fitoi mes të tjerave edhe dy herë Tripletën. E ardhmja e Rumeniges mbetet e paqartë, por ndërkohë ai përjashtoi mundësinë që të punojë për Federatën Gjermane të Futbollit apo për UEFA-n. E vetmja gjë e sigurt është se në 30 qershor te Bajerni mbyllet një epokë, e pasur me suksese, për të nisur një epokë e re me menaxher Oliver Kahnin, ish-portierin legjendar të klubit bavarez, njëherësh një individ me temperament të fortë dhe që ka krijuar prej vitesh një eksperiencë menaxheriale në radhët e klubit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here