Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja ka raportuar dje në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për procesin hetimor deri më tani. Kreu i prokurorisë më të rëndësishme në vend bëri një bilanc të punës gjatë vitit 2020 ndërsa dha detaje lidhur me luftën antikorrupsion. Kraja bëri të ditur se në gusht Byroja Kombëtare e Hetimit nis punën dhe SPAK do të jetë me forca të plota në shtator. Kraja evidentoi kushtet e vështira të punës, ngarkesën e madhe të 13 prokurorëve, mungesën e burimeve njerëzore dhe logjistikës. Ai bëri me dije se së shpejti do të jetë në funksion edhe një laborator për eksperimentimet digjitale ku po ashtu po vijohet puna për të pasur akses edhe në sistemet e të dhënave në Republikën e Shqipërisë. “Ka qenë një sfidë pandemia për të gjithë. Por, të gjitha këto u kaluan dhe u arrit që në fund të vitit 2020 të mbaronte rikonstruksioni, tani jemi në kushte të rinovimit. BKH, e cila pritet që nga muaji gusht 2021 të mbështesë Prokurorinë e Posaçme me 28 hetues të rinj, ka arritur aq sa mund të bëjmë deri tani sa i përket aksesit në të dhënat personale. Për ne është eksperiencë e re dhe kemi miratuar sipas kërkesave tona. Një veprimtari tjetër që kemi ushtruar, kemi vendosur si prioritet ngritjen e një laboratori kriminalizimi për ekspertizën digjitale. Në këtë sens kemi punuar në tre drejtime, e para në drejtim të krimit, përzgjedhjes së stafit dhe gjetjes së stafit për të bërë blerje të nevojshme. Kemi hapur garën dhe kemi marrë dy nga ekspertët më të mirë në këtë fushë, me eksperiencë disavjeçare në Polici dhe jemi në fazën e fundit të marrjes së programeve. SPAK ka dorëzuar 117 kërkesa për sekuestro të 657 pasurive të luajtshme, të paluajtshme dhe biznese, 62 kërkesa për konfiskim dhe janë dhënë 27 vendime ku vetëm dy nuk janë pranuar”, deklaroi ai.
Asistenca nga Italia dhe Kroacia
Në raportimin para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kraja bëri të ditur se po bashkëpunohet edhe me të huajt për të rritur cilësinë e hetimeve. Duke qenë se SPAK u ngrit sipas modelit kroat, po bashkëpunohet edhe më prokurorët kroatë për të shkuar drejt shembullit “Sanader”. Ish-kryeministri kroat Ivo Sanader u dënua me disa vite burg për korrupsion dhe të njëjtët persona po asistojnë edhe në SPAK. Kreu i SPAK u shpreh se bashkëpunimet me ndërkombëtarët kanë qenë të frytshme dhe pozitive. Ai deklaroi se përveç këshillave të nevojshme, bashkëpunimet me ndërkombëtarët kanë sjellë edhe ndihma financiare si mjete dhe pajisje për hetimet deri në 20 milionë lekë të reja. “Kam pasur kontakt me Antimafian Italiane dhe kemi marrëdhënie shumë pozitive për hetimet e përbashkëta dhe bashkëpunimeve të tjera. Kemi raporte shumë korrekte me “Eurojust”. Kemi bërë marrëveshje me Kroacinë, me idenë që është një strukturë e ngjashme dhe kemi çfarë të shkëmbejmë me njëri-tjetrin. Kemi bërë bashkëpunim me Prokurorinë Federale Belge. Një moment tjetër që lidhet me bashkëpunimet ndërkombëtare, që nga momenti që jemi formuar, kemi pasur eksperiencën të mirë me disa organizata ndërkombëtare. Bashkëpunimi ka qenë i frytshëm, kishim nevojë për këshilla, por edhe ndihma financiare, e përkthyer në pajisje dhe mjete. Kemi marrë 20 milionë lekë të reja pajisje kështu që e vlerësojmë shumë këtë”, u shpreh ai.