Arrihet armëpushimi, Izraeli vendos të ndalë luftën me Palestinën, palët negociata të vazhdueshme në prapaskenë

0
261

Arrihet armëpushimi mes Izraelit dhe Palestinës. Burime të afërta me bisedimet e armëpushimit i kanë thënë BBC-së se Izraeli iu ka thënë ndërmjetësve egjiptianë se do të pajtohen për t’i dhënë fund aksionit ushtarak. Egjipti po ndërmjetëson në uljen e tensioneve. Ende nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar nga Izraeli. Kabineti qeveritar në Izrael po mban mbledhje për të diskutuar situatën. Transmetuesi publik i Izraelit, Kan, tha se kabineti do të votojë për një armëpushim të njëanshëm që do të hynte në fuqi brenda 24 orësh. E gjitha nisi me deklaratën e një zyrtari të lartë të Hamasit. “Unë mendoj që një armëpushim do të arrihet si rezultat i presionit të jashtëm. Pritshmëritë e mia janë që një gjë e tillë të ndodhë brenda një ose dy ditësh. Armëpushimi do të vendoset si pasojë e një marrëveshjeje të përbashkët. Tel Avivi është shumë i shqetësuar nga hapja e dyerve të ferrit”, u shpreh Zëvendëskryetari i Byrosë Politike, Moussa Abu Marzouk. Ai ka shtuar se shteti i Izraelit nuk i ka mundësitë që të bëjë luftë në disa fronte dhe madje ka deklaruar se edhe Shtetet e Bashkuara të cilat fillimisht po mbanin një qëndrim të heshtur përballë dhunës dhe vdekjes së popullit të Palestinës, sapo Hamasi bombardoi Tel Avivin kërkuan zgjidhjen e situatës dhe uljen e dhunës dhe sulmeve. Një deklaratë e tillë mbi armëpushimin e ardhur nga Hamasi, është në të njëjtën linjë me deklaratën e kryeministrit izraelit të dy ditëve më parë. Benjamin Netanyahu u shpreh se sulmet në Gaza do të zgjasnin në kohë për aq sa të jetë e nevojshme që të arrihet një paqe e të gjithë qytetarëve izraelitë, por shtoi se një gjë e tillë mund të ishte edhe çështje ditësh. Agjensia e lajmeve “Reuters” njoftoi mëngjesin e së enjtes se një burim në shërbimin sekret egjiptian bëri me dije se Izraeli dhe Hamasi kanë arritur një marrëveshje në parim, por bisedimet për një marrëveshje përfundimtare janë ende në vijim e sipër. Ndërkohë BBC raportoi se sipas korrespondentëve, Izraeli do të dakordohej për një armëpushim, pas mbledhjes së kabinetit të tij të sigurisë.

Qëndrimet

Një këshilltar i kryeministrit të Izraelit Netanyahu, është shprehur më herët se vendosja e një armëpushimi dhe dhënia fund e sulmeve ajrore në Gaza mund të ndodhë vetëm në disa kushte të caktuara. “Mendoj se gjëja e rëndësishme është: a dalim nga kjo me një situatë ku mund të sigurohemi që popullata civile e Izraelit jugor dhe Izraelit në tërësi, sepse siç e dini Tel Aviv dhe Jeruzalemi janë goditur gjithashtu, të ketë të sigurtë një periudhë të qëndrueshme paqeje dhe qetësie, që popullata civile izraelite nuk duhet të jetojë me frikën e sulmit të një rakete hyrëse nga Rripi i Gazës?”, tha Mark Regev për BBC më herët. Ndërkohë zyrtarët izraelitë të sigurisë kanë bërë me dije se nuk e shohin dot vendosjen e paqes dhe fundin e sulmeve përpara së premtes, edhe pse shpresat ishin që e premtja mund ta gjente në paqe Rripin e Gazës. Ndërkohë, sa i përket bisedimeve mes Izraelit dhe Hamasit, Gjermania ka mbajtur një qëndrim që përkrah përfshirjen e Hamasit në bisedime duke theksuar faktin se pa Hamasin pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, armëpushim nuk mund të ketë. Kancelarja gjermane Angela Merkel mbështet bisedimet indirekte me Hamasin për sigurimin e armëpushimit mes Izraelit dhe Palestinës, qofshin këto edhe bisedime të zhvilluara nëpërmjet Egjiptit dhe vendeve arabe e jo drejtpërdrejtë mes Izraelit zyrtar dhe Hamasit. Në përpjekje për të arritur një marrëveshje paqeje, kancelaria Merkel zhvilloi gjatë seë enjtes edhe një bisedë telefonike me Presidentin Palestinez Mahmoud Abbas, në të cilën është dakorduar se iniciativet për një armëpushim duhet të vijojnë. Gjithsesi sulmet në Rripin e Gazës vijojnë, ndërkohë që ministra e Shëndetësisë atje raporton të paktën 230 viktima dhe 1710 të plagosur, ndërsa Izraeli raporton vetëm 13 të vdekur. Ndërkohë Izraeli është duke u përballur edhe me presion të brendshëm, ku rreth 300 hebrenj izraelitë kanë kërkuar që qeveria e Tel-Avivit t’i japë fund diskriminimit racor dhe që bashkësia ndërkombëtare të marrë masa për të mbrojtur palestinezët. Në një deklaratë të bërë nga organizatorët e fushatës thuhet se si hebrenj izraelitë, ata kundërshtojnë veprimet e qeverisë dhe refuzojnë të pranojnë sistemin e epërsisë hebraike, ndërsa i bëhet thirrje shoqërisë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime urgjente për të ndaluar sulmet izraelite dhe për të mbrojtur palestinezët në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor, Jerusalem, Al-Jalil, Negev, Lid, Jaffa dhe Haifa.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here