Frika se mund të ketë favorizime, pazare dhe deformim të rezultateve, ka shtyrë Federatën Shqiptare të Futbollit të mendojë për marrjen e masave që evitojnë skandalet, duke njehsuar fillimisht datat dhe oraret për ndeshjet e mbetura të këtij sezoni. Janë dhe 5 xhiro deri në fund, por për federatën të paktën 4 xhirot e fundit duhet të luhen në të njëjtën ditë e në të njëjtën orë. Një përjashtim e ka bërë dhe kjo lidhet me derbin e madh Tirana-Partizani, me shpresën se do të ketë pak tifozë, ndërsa për takimet e tjera nuk ka tolerime. Kështu, Sektori i garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur datë dhe orar të unifikuar për ndeshjet e 4 javëve të fundit të Kategorisë Superiore. Përjashtim nga ky vendim bën vetëm derbi i kryeqytetit Partizani-Tirana, i cili do të luhet në të njëjtën ditë, pra më 13 maj, por në orën 19:00 nën dritën e projektorëve të stadiumit “Air Albania”. Ndërkohë javët e tjera do të luhen konkretisht më 17 maj, 21 maj dhe 26 maj, të gjitha në orën 17:00. Ky vendim pritet të shmangë llogaritë me rezultatet, duke qenë se gara në Superiore është plotësisht e hapur si për titull, ashtu edhe për Europën e mbijetesën.
Së shpejti asambleja vjetore e federatës
U zhvillua ditën e djeshme, mbledhja online e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit, i cili mori vendimin për të thirrur Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme, në përputhje me parashikimet e Statutit të FSHF. Kjo Asamble do t’i zhvillojë punimet në datë 14 qershor 2021, në orën 10:00, dhe do të zhvillohet online përmes platformës Microsoft Teams. Nuk është asamble zgjedhore, sigurisht, por një asamble ku bëhen bilancet e punës njëvjeçare dhe nxirren konkluzione nga ku më pas bëhen propozime për ndryshime konkrete. Në këtë edicion vështirë se do të ndodhë ndonjë ndryshim i papritur, apo ndonjë lëvizje që mund të mbahet mend, pasi në vitin 2022, në asamblenë e një viti më pas, do të zhvillohen zgjedhjet për president, ku me siguri Duka do të garojë për një mandat të pestë në krye të FSHF-së,
Kukësi në krizë serioze, ndaj Vllaznisë do të jetë e vështirë
Në fillim të sezonit, Kukësi përjetoi një nga pak çastet e lumtura të këtij edicioni. Blutë fitonin në Shkodër, madje duke i shënuar 4 gola Vllaznisë, që ishte dhe mbetet një nga mbrojtjet më të mira të kampionatit. U duk si një dëshmi force e skuadrës që në atë kohë trajner kishte Gegën, edhe pse tekniku nuk ishte në stol sepse po kurohej për shkak të Covid-it. U duk si një shenjë e qartë që Kukësi do të luftonte për titull, por ishte “një flakë kashte”. Tashmë në sfidën e fundit të sezonit përballë kuqebluve, Kukësi vjen me 3 humbje radhazi, ku nuk ka shënuar asnjë gol e pësuar 8, me vetëm 1 fitore në 13 ndeshje në kampionat dhe me një pozicion modest për ta, që është vendi i 6-të, pa objektiva për Europën. Atëherë ku do ta gjejnë motivimin futbollistët , të cilët kanë ndonjë pakënaqësi edhe me shpërndarjen e pagesave, motivimin duhet ta gjejnë tek e ardhmja e tyre, sa më shumë paraqitje zhgënjyese aq më pak shanse kanë të sigurojnë një kontratë të mirë, qoftë me Kukësin apo diku tjetër. E nëse flasim për motvimin, atëherë në krahun tjetër ky element është në dozat maksimale, sepse Vllaznia që në fillim askush nuk e priste në këto pozita, vijon të jetë e përfshirë fuqishëm në garën për titull kur kanë mbetur edhe 5 ndeshje nga fundi. Kuqeblutë kanë mbledhur vetëm 1 pikë në dy ndeshjet e fundit dhe nuk kanë më asnjë rrugë tjetër në këtë takim vetëm se marrjen e fitores në “Elbasan Arena”. Diferenca me vendin e parë është 3 pikë dhe objektivi javor i Vllaznisë është të paktën të mos lejojnë Partizanin të shkëputet më shumë. Në letër duken shkodranët një hap më përpara, megjithatë nënvlerësimi kundrejt një skuadre që ka në organikë dy golashënuesit më të mirë të Superiores, do të ishte një “harakiri” epik.