Thyhet dominomi 9-vjeçar i Juventusit, Interi shpallet kampion i Italisë

0
224

Nuk ka më dilema në Serinë A italiane sa i takon fituesit. Kështu, Interi shpallet zyrtarisht kampion i Serisë A një ditë pas suksesit 2-0 në fushën e Krotones. Zikaltrit përfituan nga ndalesa e Atalantës 1-1 në fushën e Sasuolos, për të nisur festën e titullit, duke thyer hegjemoninë 9-vjeçare të Juventusit. Nëse bergamaskët do të fitonin ndaj Sasuolos thjesht do të shtynin festën e skuadrës së Kontes, por sfida në “Mapei” nuk nxori fitues. U shënuan dy gola, u dhanë dy kartonë të kuq, nga një për secilën skuadër, dhe Muriel humbi një penallti, por në fund më të lumturit ishin futbollistët dhe tifozët e Interit. Portieri Golini e la në inferioritet numerik Atalantën në minutën e 15-të, megjithatë të parët shënuan bergamaskët me Gosens në të 32-tën. Shtatë minuta nga starti i fraksionit të dytë Berardi ktheu ekuilibrin në rezultat me 11-metërsh, ndërsa në të 64-tën goli i Locatellit u anulua nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje. Atalanta fitoi penallti në të minutën e 75-të me Marlon që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, por nga pika e bardhë gaboi Muriel. Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura, me Atalantën që humb jo pak avantazh në luftën për zonën Champions, duke mos përfituar nga ndalesa e Napolit përballë Kaliarit, takim që u mbyll 1-1. E pafalshme për Napolin ajo që ndodhi në stadiumin “Maradona”, ku deri në minutën e 4-t shtesë skuadra e Gatusos kryesonte me golin e Osimhen, të shënuar që në minutën e 13-të. Kur u mendua se gjithçka kishte përfunduar, Kaliari barazoi me Nandez, atëherë nuk kishte më kohë për vendësit për të realizuar një tjetër gol për fitoren. Rodrigo Palacio ishte heroi i Bolonjës në barazimin spektakolar 3-3 përballë Fiorentinës në duelin mes dy skuadrave që ende nuk e kanë siguruar mbijetesën në Serinë A. Tri herë kaloi në epërsi skuadra vjollcë, por po kaq herë ktheu baraspeshën në rezultat veterani argjentinas. Spikati me dygolësh edhe në këtë takim (të parin me 11-metërsh) Vlahoviç, ndërsa mes dy finalizimeve të sulmuesit serb për skuadrën toskane shënoi Bonaventura. Ndërkohë, një nga ndeshjet më emocionuese të luajtura dje në kampionatin ita;ian ishte ajo mes Lacios dhe Xhenoas, e cila pati plot 7 gola por lacialët fituan me shumë vështirësi 4-3. Natyrisht, e fituar doli Lacio që mori një sukses me shumë peshë në garën për një vend në zonën Champions. Deri 10 minuta para fundit të kohës së rregullt rezultoi gjithçka e lehtë për bardhekaltrit që dominuan me lojë dhe rezultat. Zhakin Korrea dhe Çiro Imobile me penallti shënuan në pjesën e parë për Lacion, ndërkohë që autogoli i Marusic në sekondat e para të pjesës së dytë u duk sikur rihapi sfidën, por shumë shpejt Luis Alberto me një supergol dhe sërish Korrea e ngritën rezultatin në 4-1 në favor të kryeqytetase. Por Xhenoa nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit dhe Skamaça e Shomudorov në minutat 80-të dhe 81-të shënuan dy gola të shpejtë duke i bërë minutat e fundit drithëruese për Lacion që gjithsesi arriti të ruante avantazhin e një goli dhe mori tre pikë të arta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here