Google search engine
Home Aktualitet Emiljano Shullazi betejë të fortë me drejtësinë, merr avokate amerikane për të...

Emiljano Shullazi betejë të fortë me drejtësinë, merr avokate amerikane për të çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut

0
415

Personazhi i njohur i drejtësisë shqiptare Emiljano Shullazi vazhdon të jetë në betejë me togat e zeza, pasi nisja e procesit gjyqësor ndaj tij dhe anëtarëve të grupit G. Dani, E. Qyqja, E. Zela dhe B. Shullazi është shtyrë sërish. Proces i cili ka dështuar për dy vite me radhë. Në këto kushte Shullazi, këtë herë ka vendosur të paraqesë përballë togave të zeza, në seancën e zhvilluar paraditen e djeshme, një avokate amerikane, e cila do të monitorojë procesin. Lambrini Nasiss do të grumbullojë gjithë shkeljet që sipas tyre janë bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe Gjykatën e Apelit të Posaçëm. Ndërsa pritet që me marrjen për mbrojtje të kësaj të fundit, çështja e Shullazit të zhvendoset në Gjykatën e Strasburgut. Sakaq theksojmë se gjatë seancës ditën e djeshme, janë zhvilluar edhe debate të shumta midis palës mbrojtëse dhe trupës gjykuese, ku avokatët dhe të pandehurit kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Muça. Sipas tyre kjo gjyqtare ka shqyrtuar një kërkesë të bashkëpunëtorit të drejtësisë në lidhje me këtë çështje dhe për këtë arsye nuk mund të jetë pjesë e trupës gjykuese. Rrëzimi i kërkesës së avokatëve dhe të pandehurve është komunikuar paraditen e djeshme, çka ka shkaktuar edhe debate e diskutime lidhur me këtë çështje. Ndërsa kujtojmë se Shullazi është dënuar me 14 vite burg për gjobëvënie dhe grup të strukturuar kriminal. Sakaq, pala mbrojtëse i kërkoi gjykatës disa muaj më parë lirimin e klientëve të tyre me argumentin se gjykata duhet të rivlerësonte masën për 5 të pandehurit, 10 ditë pas krijimit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Theksojmë se Shullazi konsiderohet si organizator i atentatit ndaj biznesmenit Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsi. Ndërsa emri i tij është lakuar nga i penduari i drejtësisë Luftar Reçi. Sipas dëshmisë se të penduarit Luftar Reçi ka qenë Viktor Ymeri, i cili nga burgu ka gjetur personin në llogari të Shullazit që do të kryente këtë ekzekutim.
Avokatja amerikane: Çdo person ka të drejtë të ketë një proces të rregullt
Në përfundim të procesit avokatja amerikane e Emiljano Shullazit, Lambrini Nassis ka reaguar duke thënë se çdo person ka të drejtë të ketë një proces të rregullt. Gjithashtu edhe avokati tjetër i Shullazit, V. Meçe mësohet të ketë thënë se do i drejtohen Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese madje edhe në Strasburg, duke pretenduar se u janë shkelur të drejtat e të pandehurve. Ai gjithashtu ka shtuar se me shkeljet e shumta që janë konstatuar është më se e drejtë që avokatja amerikane të përfaqësojë çështjen “Shullazi” në Strasburg. “Sepse kemi parë se gjykata po bën 2 vjet që po shkel të drejtat e të pandehurve. Në seancën e kaluar kemi kërkuar përjashtimin e gjyqtares dhe një nga gjyqtaret e Apelit në mënyrë haptazi të kundraligjshme ka rrëzuar kërkesën, sikurse dhe kryetarja e gjykatës s’ka pranuar kërkesën e dorëheqjes së kësaj gjyqtareje. Përveç të tjerave avokatja është specialiste e të drejtave të njeriut. Me shkeljet e shumta që janë konstatuar kjo çështje do të shkojë në Strasburg. Është normale që avokatja amerikane të na përfaqësojë në Strasburg. Do i drejtohemi Gjykatës së Lartë dhe organeve të tjera, të cilat janë mbështetëse të reformës në drejtësi në mënyrë të veçantë OPDAT”, mësohet të ketë thënë ajo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here