Familja Haklaj përmes një letre drejtuar Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, akuzojnë ish-kryeministrin Sali Berisha si ideator dhe urdhërues i shumë krimeve që kanë ndodhur në Shqipëri, ku mes tyre viktima kanë mbetur edhe disa nga familjarët e tyre. Në letër, e cila tashmë ndodhet në tryezën e ambasadës amerikane dhe që mban titullin “Duart e përgjakura të Sali Berishës”, pjesëtarë të familjes Haklaj kërkojnë ndëshkimin e ish-kryeministrit Berisha, ndërsa theksojnë se sipas tyre, ka ardhur koha që të vendoset drejtësi për krimet e Sali Berishës. “E nderuar zonja ambasadore. Masakrat e politikës 30 vjeçare na përkujtojnë sa shtrenjtë i ka kushtuar popullit shqiptarë “demokracia”. Besojmë në standartet dhe vlerat e SHBA dhe Presidentit Biden që ju përfaqësoni në Shqipëri. Ndajmë me ju shqetësimin për reformën në drejtësi. Ku ka një komplot nga ish-komunisti Sali Berisha sëbashku me klikën e tij që hiqen gjoja si viktima. Ne si shtresa e interesuar e vendosjes se shtetit ligjor në vendin tonë pas 30 vitesh tranzicion, kalimi nga shtet diktatorial në shtet fashist, kriminal të korruptuar të Sali Berishës që dhe hiqet e përdridhet sikur gjoja është shpëtimtari i vendit, ku në të vërtetë qëndron komplete e kundërta”, thuhet në letër.
Haklajt: SHBA të mos lejojë Berishën në Parlament
Më tej në letrën mban që firmën e djalit të tyre i vetmi i mbijetuar Muharrem Haklaj, familja Haklaj u bën thirrje amerikanëve që të mos lejojnë futjen e ish-kryeministrit Sali Berisha në Parlament si deputet i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, pasi sipas tyre, ka ardhur koha që politika në Shqipëri të pastrohet nga personat e inkriminuar sikundër është ish-lideri demokrat. “Shpresojmë që procesi i sapofilluar nga mbështetja juaj, “Drejtësi për të gjithë”, do të ndikojë dhe në spastrimin dhe reformimin e skenës politike në Shqipëri. Nëse nuk përjashtohet nga politika komunisti me damkë Sali Berisha si dhe pjesëtarët e grupit të tij pronto, pa largimin e të cilëve komplikimet në politikën e Shqipërisë, jo vetëm se nuk do të mënjanohen plotësisht, por mund të vazhdojnë edhe në të ardhmen, njëjtë si deri me tani. Partia në pushtet, ka armik të vjetrën egoiste, korrupsionin, hajnin dhe krimin, për të cilat populli shqiptarë e ndëshkoi politikën e vjetër, e cila po mundohet, por në dëshpërim, e vjetra po intrigon dhe do të intrigojë e sajojë deri në grahmat e fundit”, thuhet në letër.
Skandalet e ish-kryeministrit Berisha
Por kërkesa për të mos lejuar ish-kryeministrin Sali Berisha të hyjë në Parlament dhe për të ndëshkuar krimet e këtij të fundit nuk janë e vetmja kërkesë që familja Haklaj kërkon të plotësohet nga amerikanët. Në letër përfaqësuesi i familjes, Muharrem Haklaj ka zbuluar edhe skandalet e ish-kryeministrit Sali Berisha, duke ia numëruar një nga një gjithë krimet e tij. “Gjithashtu edhe ne si shqiptarë dhe si pjesë e atij populli të masakruar nga politika e krimit të organizuar në Shqipëri që kryesohet nga krye krimineli Sali Berisha. Jemi të interesuar që në Shqipëri të ketë drejtësi për të gjithë. Duke mos venë në dyshim konsideratën tuaj për emra të përveçëm që janë persona të korruptuar, ju sigurojmë që sado të korruptuar që mund të jenë ata persona, nuk mund të jenë aq të korruptuar dhe kriminelë sa Sali Berisha ku e shndërroi drejtësinë shqiptare, nga drejtësi me juristë profesionist, në drejtësi me juristë me kurse gjashtë mujore tek plepat e Durrësit. Shpresojmë dhe urojmë që një ditë të gjitha viktimat e politikës shqiptare duke filluar që nga koha e Sali Berishës si komunist dhe koha e Sali Berishës si antikomunist, një ditë të gjejnë qetësi”, thuhet në letër.