Aktori i njohur ndërkombëtarisht, Lenardo DiCaprio i është bashkuar lëvizjes për të shpallur lumin Vjosa Park Kombëtar dhe për ta mbrojur nga HEC-et që rrezikojnë ta shkatërrojnë. Pak ditë më parë, ai u bëri thirrje politikanëve shqiptarë që të ndërhyjnë menjëherë.
Kryeministri Rama deklaroi se nuk do të lejohet ndërtimi i digave për hidrocentrale në Vjosë.
Rama theksoi se prej kohësh po punohet për projektet konkrete për Parkun Kombëtar të Vjosës, por sipas tij, duhet trajtuar në mënyrë të kujdesshme.
“Së pari ideja e Vjosës Park Kombëtar, kemi qenë ne që e kemi promovuar të parët. Për Parkun Kombëtar të Vjosës kemi kohë që po punojmë me projekte konkrete.
Zona e mbrojtur është një kategorizim që e mbron qartësisht dhe përfundimisht Vjosën nga ndërhyrjet në shtratin e saj. Pra, që nuk lejon në asnjë mënyrë ndërtimin e digave për hidrocentrale, kjo është e sigurt.
Ndërkohë që koncepti i Parkut Kombëtar është një koncept, i cili nuk mund të shtrihet dot përgjatë gjithë Vjosës duke kapur brenda edhe qytete madje.
Por, duhet trajtuar në mënyrë shumë të kujdesshme në sensin e ndarjes së qartë të zonës së mbrojtur dhe zonës Park Kombëtar, në mënyrë që të kemi mundësi që në pjesën e zonës së mbrojtur pikërisht të stimulojmë agro-turizmin, sepse në një park kombëtar është e pamundur të ndërhysh për agro-turizëm apo aktivitete të tjera”, theksoi Rama.