SPAK konfiskon pasurinë e Dhimitër Shkodranit dhe Astrit Beqirit, në listë apartamente, makina të shtrenjta dhe një pulari

    0
    256

    Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar pasurinë e dy personave të akuzuar për pastrim parash dhe grup kriminal. Bëhet fjalë për personat Dhimitër Shkodrani dhe Astrit Beqiri, të cilëve u janë konfiskuar disa pasuri, ku sipas hetimeve të kryera rezultonin në pronësi të të dyve. Në listë përfshihen 1 pulari në Shkodër, 5 automjete, 3 prona të paluajtshme dhe një sasi e konsiderueshme parash cash në euro e lekë shqiptare. “Këtyre personave u është konfiskuar: Një Pulari “Rens 2015 SHPK”, Volkswagen Golf, Furgon Iveco, BMW X5, Benz E Class, Daimler Chrysler, Apartament në Velipojë me vlerë rreth 95 mijë euro. Apartament në Velipojë, me vlerë rreth 95 mijë euro. Apartament në Velipojë me vlerë rreth 93 mijë euro. 173 500 euro dhe 8 milion e 629 mijë lekë të gjendura cash në shtëpinë e Astrit Beqirit”, deklaron SPAK. Më herët Prokuroria e Posaçme ka kërkuar për personat në fjalë 21 vite burg, pasi akuzohen konkretisht për trafik kokaine si dhe pastrimit të produkteve të veprës penale duke vepruar si grup i strukturuar kriminal. Më konkretisht SPAK ka kërkuar 11 vite burg për Beqirin dhe 10 vite për Shkodranin. Të arrestuarve do t’u ulet 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Theksojmë sërish se dyshja kriminale e sipërpërmendur akuzohen nga Prokuroria e Posaçme, për 3 vepra të rënda penale. “Po në datën 26.06.2019, në Shqipëri u bë arrestimi i shtetasit Astrit Beqiri, 51 vjeç dhe Dhimitër Shkodrani banues në Shkodër, për veprat penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal””, deklaron SPAK.
    Hetimet
    Beqiri dhe Shkodrani janë pjesë të një grupi kriminal, i cili ka trafikuar mbi 1650 kg kokainë drejt vendeve të Bashkimit Europian. Paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal, dërgoheshin në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, ku merreshin nga Dhimitër Shkodrani. Ky i fundit më pas i dorëzonte tek Astrit Beqiri në Shkodër. Beqiri, është kunati i kreut të grupit, Sokol Krasniqi, i arrestuar në Danimarkë dhe paratë i kishte investuar në biznese të ndryshme. Hetimi i mëtejshëm provoi se Astrit Beqiri paratë e ardhura nga krimi kishte mundur t’i pastronte duke i investuar në biznes, siç ishte pularia “RENS 2015”, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, të sekuestruara. Hetimet dhe arrestimi i tyre ishte si pjesë e operacionit të gjerë të zhvilluar në 26 qershor 2019, ku mori pjesë dhe Europol dhe u zhvillua në disa vende të Europës. “Autoritetet daneze të drejtësisë kanë kryer hetime për një grup të strukturuar kriminal, në përbërje të të cilit ishin kryesisht shtetas shqiptarë, të cilët ushtronin aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve, kryesisht të llojit “kokainë”. Është dokumentuar se ky grup kriminal ka trafikuar mbi 1 650 kg kokainë dhe heroinë brenda vendeve të BE-së. Gjatë hetimeve, autoritetet daneze konstatuan se anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal të ardhurat me natyrë kriminale i dërgonin “cash” në Shqipëri, ku më tej investoheshin në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe në aktivitete biznesi”, deklaron SPAK.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here