Prokuroria e Posaçme do të jetë struktura e vetme që do të merret me hetimin e krimeve në zgjedhjet elektorale. Të 13 prokurorët e kësaj strukture do të angazhohen vetëm nëse do të ketë raste të korrupsionit aktiv dhe pasiv, të cilat janë kompetencë e SPAK. Për shkeljet gjatë fushatës zgjedhore dhe ditës së zgjedhjeve janë bërë ndryshime në Kodin Penal, ku janë forcuar dënimet në rastin e shit-blerjes së votës, por edhe vepra të tjera elektorale. Shitja apo blerja e votës dënohet nga 1 deri në 5 vjet burg, fotografimi i votës dënohet nga 3 muaj deri në 3 vjet burg, votimi familjar nga 1 deri në 3 vjet burg. Gjithashtu i dënueshëm është çdo veprim që cenon zgjedhjet si votimi pa kryer identifikimin elektronik, kanosje, falsifikimi apo dëmtimi i materialit zgjedhor që dënohet nga 3 muaj deri në 7 vjet burg. Këto ndryshime në Kodin Penal, i kanë kaluar në kompetencë SPAK. Ky institucion është i vetmi i cili do të hetojë Krimet Zgjedhore. Por zyrtarisht u bë e ditur se SPAK nuk do të ngrejë një strukturë të veçantë vetëm për këto vepra penale të paktën për zgjedhjet e 25 prillit. Ato do të hetohen sipas rastit nga 13 prokurorët që janë aktualisht në këtë institucion. Mësohet se në rast të konstatimit të një vepre penale në rrethe do të jenë oficerët e Policisë Gjyqësore ata që do të mbledhin fakte dhe prova për llogari të SPAK dhe më pas vepra do t’i referohet Prokurorisë së Posaçme. Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, u ka kërkuar prokurorëve të jenë të kujdesshëm në hetimin e krimeve sidomos ato të cilat lidhen me zgjedhjet e 25 prillit. Kalimi i krimit zgjedhor në Prokurorinë e Posaçme erdhi si nevojë pas eksperiencës që u krijua me dosjen “184”. Hetimi i “Dosjes 184” kaloi një kalvar të gjatë prej së paku pesë herë lëvizjesh mes prokurorive mes asaj të Tiranës dhe asaj të Dibrës. SPAK në fund vendosi t’ia lërë si hetim Prokurorisë së Dibrës, ku po hetohet nga një prokuror i rrethit në të cilën dyshohet se ka ndodhur krimi elektoral i shitblerjes së votës. Tanimë pak para zgjedhjeve të 25 prillit edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve që të denoncojnë çdo shkelje dhe krim që subjektet zgjedhore mund të kryejnë gjatë fushatës elektorale.









































