Google search engine
Home Sport Laçi eliminon Partizanin, shpërthen Gaz Demi: Gjyqtari Meta palaço, na mohoi dy...

Laçi eliminon Partizanin, shpërthen Gaz Demi: Gjyqtari Meta palaço, na mohoi dy penallti

0
244

Kupa e Shqipërisë zhvilloi dje fazën çerekfinale të saj, ku pati katër takime mjaft interesante dhe në 8 skuadrat që kishin ardhur deri këtu dy ishin nga kategoria inferiore e konkretisht Korabi dhe Dinamo. Por të dy këto ekipe u eliminuan dhe në gjysmëfinale kaluan Teuta, Vllaznia, Skënderbeu dhe Laçi, të cilët së shpejti do të mësojnë dhe kundërshtarin e tyre në short për të vijuar rrugëtimin drejt finales. Kupa është aktiviteti i dytë më i rëndësishëm dhe përveçse të jep trofeun, siguron pjesëmarrjen automatike në Europa League, prandaj edhe është një aktivitet mjaft i lakmuar. Skënderbeu kaloi pa probleme Dinamon, ndërsa Teuta edhe pse vuajti përballë Kukësit ia doli të fitojë e të shkojë më tej. Bëri detyrën dhe Vllaznia përballë Korabit, duke lënë pas krizën e gjithanshme që e kishte “pushtuar” gjatë javëve të fundit, ndërkohë që kryedueli i kësaj faze ishte ai mes Laçit dhe Partizanit, një ndeshje që shkoi me shtesë dhe pas 120 minutave pa gola u desh të luheshin penalltitë për të përcaktuar fituesin ku ai që mori të drejtën të shkojë në gjysmëfinale ishte pikërisht ekipi kurbinas i trajnerit Shpëtim Duro. Por kjo përballje pati mjaft ankesa nga Partizani, të cilit iu mohua një penallti e pastër, madje klubi i kuq pretendon për dy të tilla dhe akuzat në adresë të gjyqtarit Kridens Meta kapën majat.

Ndeshja/ Dominion Partizani por portieri Sherri ishte i pakalueshëm

Dueli i djeshëm çerekfinal midis dy ekipeve nisi me një goditje dënimi për Partizanin, ekzekutimi i së cilës u mor për përsipër nga Esat Mala, që gjuajti rrezikshëm, por topi përfundoi jashtë kuadratit të portës. Në minutën e 11-të pati momente paniku në fushën e blertë, pasi Nuabueze u shemb në tokë duke i alarmuar të gjithë me gjendjen e tij shëndetësore, por fatmirësisht nuk pati asgjë për sulmuesin, që pak sekonda më vonë iu rikthye lojës normalisht. Partizani pretendoi për një 11-metërsh në minutën e 31-të, pas një ndërhyrjeje të Ignjatoviç ndaj Çinarit, por nuk pati të njëjtin mendim arbitri kryesor i takimit. Deri në fundin e pjesës së parë “të kuqtë” kërcënuan dy herë rrezikshëm kuadratin e kurbinasve, por Kordeiro gjeti rrjetën e jashtme, ndërsa më pas goditja e Malës u grushtua nga portieri Alen Sherri. Pjesa e dytë nisi me një ritëm të ngadaltë, teksa me kalimin e minutave ishte Partizani që u shfaq më rrezikshëm. Kërcënimin e parë të rrezikshëm e dha Valetino Murataj, por gjuajtja e tij u prit saktë nga Sherri, ndërsa më pas provoi edhe Çinari, por goditja e tij përfundoi mbi kuadrat. Në minutat shtesë ishte Laçi që kërcënoi dy herë rrezikshëm portën e Alban Hoxhës, por nuk ia doli të dërgojë topin në rrjetë, duke bërë që koha e rregullt të mbyllet në barazim pa gola dhe skuadrat t’i drejtohen shtesës prej 30 minutash. As shtesa nuk prodhoi gola dhe pas 120 minutash çështja e kualifikimit u vendos nga 11-metërshi, aty ku kurbinasit ekzekutuan saktë 4 nga 5 goditjet dhe siguruan gjysmëfinalen, kurse “të kuqtë” shpërdoruan dy penallti me Bardhin dhe Carën, të cilat u pritën nga Sherri. Festë e ligjshme për bardhezinjtë e Laçit, që u bashkuan të gjithë me Sherrin, e madje nga pakujdesia i shkaktuan edhe një çarje në kokë portierit, që u mjekua menjëherë nga stafi mjekësor.

Shpërthen Gaz Demi: Gjyqtari Meta palaço, na mohoi dy penallti

Ka qenë vetë presidenti Gazment Demi ai i cili pas ndeshjes ka akuzuar gjyqtarin Kridens Meta se ka dëmtuar Partizanin në këtë sfidë duke vendosur fatin e saj. “Një ordiner, një Kridens Meta, s’kam çfarë them tjetër, ai është një palaço djalë, ishin dy penallti të pastra. S’kam çfarë them, ndeshjen e patë vetë, jeni specialistë më të mirë se mua”, ishin fjalët e Demit për mediat pas duelit të djeshëm 120 minutësh me Laçin, duke akuzuar kështu gjyqtarin Meta për arbitrim të njëanshëm. Pretendimet e të kuqve janë për dy ndërhyje të Ignjatoviç ndaj Çinarit në zonë, të cilat Meta nuk i sinjalizoi duke lënë që loja të vazhdonte, edhe pse kishte protesta nga ekipi kryeqytetas.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here