Ministria e Brendshme ditën e djeshme ka vendosur të ndryshojë ligjin për prefektin. Në draftin që ka dalë për konsultim, ndryshimet kryesore i përkasin bashkëpunimit me policinë, ku pritet që drejtoritë vendore, përveç raportimit për sigurinë dhe rendin do raportojnë dhe për task forcat. Prefekti i qarkut me ndryshimet e reja do duhet të zbresë në terren për të kontrolluar zbatimin e masave që lidhen me rendin dhe sigurinë. Një tjetër përgjegjësi që mendohet të shtohet është përgjegjësia për planet e veprimit dhe masat në rastin e organizimeve sportive dhe kulturore, të cilat hartohen nga strukturat e mbrojtjes civile të prefektit në bashkëpunim dhe me strukturat e vetëqeverisjes vendore. Po ashtu në ndryshimet e reja parashikohet që prefekti i qarkut, në një hark kohor prej çdo tre muajsh të informojë ministrinë e Brendshme për nivelin e ruajtjes së rendit dhe sigurinë si dhe ecurinë e bashkëpunimit me strukturat e Policisë. Krahas policisë prefekti do të bashkëpunojë dhe me forcat e armatosura. Në situatat kur kemi emergjenca civile, prefektit mendohet ti shtohet si kompetencë dhe kontrolli i marrjes së masave nga strukturat e ushtrisë. Prefektit gjithashtu i jepet kompetencë që ti kërkojë administratës së tatim taksave inspektimin ndaj subjekteve publike ose private, kur ka informacione ose ka shkelje të ligjeve. Tjetër risi për prefektin është dhe bashkëpunimi me prefektët e qarqeve të tjera me qëllim realizimin e prioriteteve që do të kërkohen. Së bashku ata mund të lidhin marrëveshje me detyra dhe afat të caktuar mes tyre. Prefekti do të ketë detyrë kontrollin e çështjeve që lidhen me ankesat e qytetarëve, si dhe të zbatimit të masave të cilat lidhen me zbatimin e programit të qeverisë. Sipas ligjit aktual, prefekti kontrollon zbatimin e projekteve në bujqësi, arsim, shëndetësi, mjedis, shërbim zjarrfikës, ndihmë e përkrahje sociale, turizëm dhe kulturë, ndërsa me ndryshimet e reja i shtohet në kompetencë dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve dhe pyjeve. Një propozim i ri është dhe emërimi i nën prefektit, i cili më herët ishte me një kandidaturë, ndërsa tashmë do të duhen të paktën dy emra për të kandiduar. Ndryshimet e reja pritet të kalojnë në komisionet parlamentare, ndërsa më pas të votohen në Kuvend ditën e nesërme.