Qeveria u ka hapur rrugë vaksinave ruse dhe kineze. Me anë të një akti normativ që është miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, qeveria i jep të drejtë ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, që të negociojë krahas ministrisë së Shëndetësisë për gjetjen e vaksinave anti-Covid. Sipas aktit normativ qeveria i hap rrugë negocimit me kompani të tjera për siguruar vaksinën anti-Covid edhe nga shtetet që janë jashtë BE-së, si Rusia dhe Kina. Në aktin normativ thuhet se negociatat zhvillohen me vaksinat të cilat janë të certifikuara në vendin e prodhimit të tyre. “Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave vendosi: Dhënien e autorizimit ministrit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale dhe ministrit të shtetit për rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anti-Covid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre”, thuhet në aktin normativ të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Komiteti konfirmon variantin britanik të virusit
Ndërkohë që qeveria i ka hapur rrugë ardhjes së vaksinave nga kompani të tjera, Komiteti Teknik i Ekspertëve konfirmoi mbërritjen e variantit britanik të virusit. Në mbledhjen e zhvilluar dje Komiteti bëri me dije se në Shqipëri qarkullon varianti britanik i Covid-19 me përhapje më të madhe. Sipas ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga analizat e bëra është vërtetuar se në vend ka ardhur varianti i ri, gjë e cila sipas saj është reflektuar edhe në shifrat e larta të rasteve të reja në vend. Ajo deklaroi se këto analiza janë kryer në bashkëpunim me ISHP-në në Ankara. “Dyshimet që ne kishim për variantin britanik rezultuan të vërteta. Në vlerësimin e situatës janar-shkurt, në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik janë analizuar kampionet PCR. Laboratori ka përdorur këtë specifike, ka analizuar dhe interpretuar të dhënat me mbështetjen e kolegëve në qendrat laboratorike të referencës ndërkombëtare në këtë rast ISHP ka bashkëpunuar me ISHP-në në Ankara. Rezultatet treguan se kampionët janë të infektuar me variantin e ri, mbajnë një shenjë të mutacionit britanik. Ky mutacion është varianti britanik, që është në qarkullim në 70 vende të botës sipas OBSH”, tha Manastirliu. Ndërkohë, kryetarja e Komitetit Teknik Mira Rakacolli gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Komitetit deklaroi se për shkak të rritjes së rasteve të infektimeve masat anti-Covid do të vazhdojnë që të mbeten në fuqi edhe për dy javë të tjera. Rakacolli theksoi se po ashtu do të mbesin në fuqi masat për mësimin online pasi është vënë re edhe një shtim i numrit të rasteve tek të rinjtë po ashtu do të vazhdojë dhe pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe. “Mendojmë që masat kanë dhënë efikasitetin e tyre dhe do vazhdojmë t’i mbajmë dhe për një periudhë kohe 2-javore. Ora policore do vijojë të jetë nga ora 20:00-06:00. Do vazhdojë mësimi online, për shkak dhe të numrave të rinjve që janë rritur edhe si rezultat i prezencës së virusit të ri, fluturimet me Britaninë do të mbeten të pezulluara dhe për një periudhë dy javore”, tha ndër të tjera Rakacolli.








































