Barcelona ka prej ditës së djeshme presidentin e ri dhe organet e reja drejtuese. Kështu, pas zgjedhjeve të zhvilluara të dielën, Huan Laporta është votuar si presidenti i ri i Barcelonës, një rikthim prej afro 11 vjetësh. Ish-numri 1 “blaugrana” midis viteve 2003 dhe 2010, do të qëndrojë në detyrë për gjashtë vitet e ardhshme. Ai fitoi bindshëm zgjedhjet presidenciale të klubit katalanas me 78.85% të votave. Më saktësisht, ai mori 19 675 vota. Pas Laportas u renditën Viktor Font me 10 598 preferenca dhe Toni Freixa me 3399, ky i fundit një mbështetës i hapur i ish-presidentit Bartomeu. Për kreun e ri të klubit “blaugrana” votoi edhe Lionel Mesi. Me triumfin e tij këtë të diele, Laporta kthehet për të mbajtur pozicionin që e ka mbuluar në një periudhë që përkon me sukseset e mëdha të Barcelonës më të mirë në histori, të asaj skuadre spektakolare që drejtohej nga Pep Guardiola. Sfida për Laportën do të jetë e madhe, pasi situata e përgjithshme e Barcelonës është delikate, si në sport ashtu edhe në ekonomi, për shkak të keqmenaxhimit të kupolës së mëparshme drejtuese. Hapi i parë, dhe më i rëndësishmi, drejt një rilindjeje të Barcelonës, do të jetë bindja e Lionel Mesit për të qëndruar me “blaugranat”. Laporta, në fakt, u shfaq shumë i sigurt kur u pyet mëngjesin e së dielës nëse do ta telefonojë babanë e Mesit, Jorgen, pasi të fitojë zgjedhjet: “Nuk do të pres të nesërmen. Mund të flas me të që sonte. Nata është e gjatë”. Në fakt, sikurse raportojnë dhe mediat sportive spanjolle, njëra prej temave më të nxehta gjatë fushatës ishte e ardhmja e kapitenit Mesit, i cili është i lirë të largohet falas nga “Camp Nou” gjatë kësaj vere. Duke folur për Radion Katalanase të hënën, një ditë pas zgjedhjeve, Laporta tha: “Jam i bindur që ai dëshiron të qëndrojë. Dhe po, ai më ka uruar mua tashmë për fitoren në zgjedhje. Sa mirë ishte ta shohësh Mesin duke votuar. Kjo është dëshmi se ai e dashuron Barçën. Edhe ai fitoi dje. Ne së shpejti do të bisedojmë dhe do të vendosim për të ardhmen e tij”, shtoi ai. Përveç Mesit, Laportën e uruan edhe Xherard Pike dhe Zhordi Alba. Ndërkohë, nga ky moment Barcelona duhet të reformohet. Ja disa çështje: Mesi – Laporta duhet të punojë për kontratën e Mesit. Rinovimi i kontratës së tij do të vijë me një kosto të madhe, por Laporta beson se bindja e argjentinasit për të qëndruar është më e rëndësishme sesa menaxhimi i financave. Organika – Duhet të merren vendime për të filluar formimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm. Jordi Krujf mund të hyjë si drejtor sportiv për t’u bashkuar me pamjen e re të Barcelonës. Merkato – Bordi i ri duhet të gjenerojë të ardhura dhe gjithashtu duhet të shqyrtojë rinovimin e kontratave të Ansu Fati dhe Osman Dembele. Filipe Kutinjo dhe Samuel Umtiti ka të ngjarë të dalin në shitje dhe Serxhio Aguero mund të hyjë në një transferim falas. Borxhi – Klubi ka mbi një miliard euro borxh, me 700 milion euro që janë afatshkurtra. Ata duhet të kërkojnë fonde menjëherë, përmes sponsorëve, më shumë anëtarëve, reklamave të fanellave ose çfarëdo mënyre tjetër.









































