Google search engine

    Ikona “Shën Harallambi me skena nga jeta”, e gjetur në katedralen e kalasë së Beratit

    0
    652

    Ikona “Shën Harallambi me skena nga jeta” është vepër e shekullit XVIII atribuar autorit Kostandin Shpataraku. Sipas të dhënave nga Qendra Muzeore Berat, ikona është gjetur në katedralen “Fjetja e Shën Marisë” në kalanë e Beratit. “Teknika e përdorur është tempera mbi pano druri. Ikona “Shën Harallambi me skena nga jeta” është pjesë e koleksionit të ekspozuar në muzeun e ikonografisë “Onufri””, shprehet qendra. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit të XIX. Ikonostasi i katedrales Fjetja e Shën Mërisë mban si datë vitin1807. Ai konsiderohet si një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes. Zbukurimet e ikonostasit paraqesin disa karakteristika dhe parime të stilit barok, një prirje mbizotëruese dhe dalluese e kishave të ndërtuara në Ballkan gjatë shekujve XVIII dhe XIX. Të gjitha këto motive janë të gërshetuara me elementë të tjera të traditës bizantine. Në një arke të drunjtë pranë ikonostasit konservohen eshtrat ose lipsanet e dy shenjtorëve Gorazdi dhe Angjellari (dishepuj të shenjtorëve Metodi dhe Kirilli), të cilët mendohet të kenë kryer misionin e tyre në shekulli IX – X pas Krishtit. Nën dyshemenë e absidës me 12 gusht të vitit 1968, janë gjetur dy Kodikët e Beratit, “Codex Purpureus Beratinus” i shekulli VI pas Krishtit dhe pas Krishtit “Codex Aureus Anthimi” i shekulli IX.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here