“Këpucët e kuqe” instalacion në Durrës, nga aktoret vijnë “8 histori të vërteta të 8 grave”

    0
    317

    “Këpucët e kuqe” vijnë në Durrës për herë të parë dhe jo pa një shkak. Sipas të dhënave nga INSTAT, vitet e fundit qarku i Durrësit ka normën më të lartë të grave të dhunuara. “Këpucët e kuqe” është fushatë kundër dhunës së grave në familje e shoqëri. Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës për të rritur ndërgjegjësimin e për të kujtuar të gjitha gratë e vajzat që nuk janë më, me datën 8 mars në shkallët e galerisë së artit “Nikolet Vasia” do të vendosë instalacionin me “Këpucët e Kuqe”, që janë mbledhur nga gratë e qytetit. E më pas, në ora 19:00 do të vijë premiera në faqen teatrit, ku me regji nga Driada Dervishi janë “8 histori të vërteta të 8 grave”, që kanë pësuar ose kanë humbur jetën si pasojë e dhunës në familje. Për këtë projekt me aktoret e teatrit të Durrësit, por dhe të ftuara, regjisorja Driada Dervishi thotë se kjo fushatë bëhet për herë të parë në vendin tonë. Regjisorja tregon se “Këpucët e kuqe” nisi në vitin 2009, nga një arkitekte dhe artiste meksikane, e cila humb motrën 32 vjeçe si pasojë e dhunës në familje. “U bë  mbi dhjetë vjet që kjo fushatë bëhet në qytete të mëdha në botës, që nga shteti i Meksikës që janë probleme shumë të mëdha të dhunës ndaj gruas, për të vazhduar në Izrael, Paris në Francë, dhe së fundmi në Romë, Itali. Me sa di unë është viti i parë, që bëhet në Shqipëri. Në Durrës, sepse Durrësi në këto 5 vitet e fundit është i pari në rang kombëtar, që ka numrin më të madh të grave të dhunuara në familje”, tregon regjisorja e njohur Driada Dervishi.

    Historitë nga aktoret

     Instalcioni me “Këpucët e kuqe” do të jetë në shkallët e galerisë së artit “Nikolet Vasia”, por do të ekspozohen dhe posterat me tetë aktoret, që do të jenë përpara galerisë. Regjisorja Driada Dervishi thotë më tej se që ta zgjeronte këtë ide, ajo vijoi duke xhiruar tetë histori të vërteta të grave të dhunuara, të cilat vijnë nga aktoret e trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, por dhe të ftuara që i janë bashkuar kësaj kauze. Regjisorja shprehet se aktorja Monika Lubonja si dhe aktorja e shkrimtarja Anisa Markarian i bashkohen nismës së teatrit “Aleksandër Moisiu” në sensibilizimin kundër dhunës ndaj gruas “Këpucët e kuqe”. “Janë aktoret Mimoza Marjanaku, Andia Xhunga, Adelina Muça, Suela Bako, Alesia Xhemalaj. I janë bashkuar gazetarja Vali Qyfyrçi, që prej vitesh raporton dhe ka denoncuar histori të dhunës dhe ka shkruar enkas dhe dy pjesë, që do të lexohen më datë 8 mars. Na është afruar dhe aktorja Monika Lubonja, ku e ftuara speciale është Anisa Markarian që nga Franca ku jeton prej vitesh vendosi ti bashkohet kësaj kauze. Ajo ka shkruar, ka rrëfyer dhe ka xhiruar vetë historinë e një vajze, që është viktimë e dhunës. Të teta këto janë xhiruar në formë filmash të shkurtër, monologje -filma do të vijnë në datën 8 mars në livestream në faqen Facebook të teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku do të shfaqen edhe në RTSH1”, tregon regjisorja Driada Dervishi. Historitë janë të xhiruara të gjitha nga Daniel Dervishi, që është dhe drejtor i fotografisë, por dhe ashtu dhe kamera e montazhi. Që prej vitit 2009 “Këpucët e kuqe” të Elina Chauvet kanë shëtitur botën. Prej më shumë se një dekade,  “Këpucët” kuqe vijnë si simbol i humbjes së grave nga dhuna, tashmë jo 33 palë (kaq ishin në vitin e parë) por me qindra, vendosen në sheshe të qyteteve të ndryshme në botë. Elina Chauvet, artiste dhe arkitekte meksikane humb motrën e saj vetëm 32 vjeçare, si pasojë e dhunës në familje, dhe vendos të protestojë duke vënë në shesh 33 palë këpucë të kuqe.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here