Kategoria Superiore po përgatitet të zhvillojë ndeshjet e javës së 21-të, të cilat vijnë me surpriza në kalendar, sepse do të ketë dy duele mjaft të rëndësishme për fatet e sezonit. Në Shkodër Vllaznia do të presë Tiranën, në atë që konsiderohet si “Klasikja” e futbollit shqiptar, kurse Partizani i fuqizuar dhe në formë të mirë pret Laçin, dy skuadra me ambicie të mëdha këtë edicion. Situata është e mirë në të gjitha kampet, por diferencën pritet ta bëjnë detajet. Dhe duket se skuadrat po mendojnë që tani për detajet, pasi kanë bërë një stërvitje të fortë për sfidat e fundjavës. Teuta e Durrësit do të presë sot Kukësin, një tjetër duel që ka peshë për fatet e sezonit. “Djemtë e detit” janë entuziastë për arritjen e qëllimit, kurse trajneri i Kukësit, Mirel Josa, është përpjekur të mbajë skuadrën larg euforisë, me këmbë në tokë dhe me pretendime racionale për ndeshjen dhe pritshmëritë e saj. E sigurt është se një disfatë do ta nxirrte Kukësin nga objektivat sezonale përfundimisht, kurse Teuta do fitoren për të qenë në vallen e titullit.
Bregu sheh Teutën për titull
Teuta do të kërkojë fitoren e katërt radhazi në kampionat, teksa do të presë nesër në shtëpi Kukësin. Një nga më të rëndësishmit e ekipit durrsak, Dejvi Bregu shpreson që ndeshja ndaj verilindorëve të jetë e luftuar dhe në fund të fitojnë ata. Në një prononcim për “Supersport”, vlonjati thekson se Teuta është plotësisht në garën për titull dhe se lojtarët kanë besim te aftësitë e tyre. “Kanë qenë tri fitore të rëndësishme që ne i kemi kërkuar. Kemi zhvilluar lojëra të mira ndaj erdhën rezultatet. Shpresojmë që të kemi vazhdimësi. Asgjë nuk ka mbaruar, jemi në garë për titullin, shpresojmë që edhe me ndalesën e ardhshme të Vllaznisë të jemi në rrugë të mbarë. Kemi besim tek aftësitë tona, pasi kemi ekip të mirë. Edhe Kukësi ka ekip të fortë dhe një trajner me eksperiencë. Shpresoj të jetë ndeshje e luftuar dhe në fund të fitojmë ne”, theksoi ai. Më pas komentoi mungesën e golit në kampionat me ngjyrat e skuadrës durrsake, gjatë javëve të fundit. “Nuk shoh ndonjë diferencë mes sulmit tonë dhe sulmeve të ekipeve rivale. Ky është opinion i të tjerëve, s’kam çfarë shtoj. Shpresoj që mbrojtja jonë të vazhdojë në këtë rrugë”, u shpreh Bregu”, shtoi më tej Bregu.
Josa me “këmbë në tokë”, bën projeksionet e Kukësit
Kukësi ka luhatje dhe as marrja e drejtimit nga Mirel Josa nuk ka sjellë ndryshime të mëdha në skuadër. Megjithatë tashmë nuk është “koha” për të qarë gabimet por t’u përqendruar te sfida e radhës, me Kukësin që këtë të premte do të ketë një ndeshje shumë të vështirë ndaj Teutës, kundërshtar me të cilin Kukësi do të përballet edhe në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Në konferencën për shtyp para kësaj sfide trajneri i verilindorëve thuri elozhe për djemtë e detit, duke e konsideruar Teutën një skuadër shumë të fortë. “Është një ndeshje shumë e vështirë. Nuk më diferenca në këtë periudhë, ashtu si më përpara. Nuk ka siguri, duhet shumë seriozitet dhe duhet të përmirësohemi. Skuadra e Teutës është e ekuilibruar, qoftë ndeshjet jashtë dhe ato brenda ka luajtur dhe ka marrë maksimumin. Ka lojtarë me eksperiencë dhe nuk ka pasur shumë lëvizje në merkato. Drejtuesit kanë menduar ta konsolidojnë. Vijmë pas një ndeshje me Partizanin, të cilën në disa fragmente e luajtëm mirë. Kishte edhe momente, që na ndëshkuam dhe nuk e përballuam dot Partizanin. Mendimi im është mos e shohim atë ndeshje, por anën psikologjike sepse këtu çedojmë pak”, theksoi Josa. Më tej trajneri foli për ambiciet e Kukësit këtë edicion, duke përmendur në terma të përgjithshme “rrugën e mesme”, një koncept që ka të bëjë me rivalitetin në kampionat, pozicionin e skuadrave dhe objektivat. “Nuk duhet të kërkojmë rrugën e mesme sepse kjo varet nga niveli i skuadrave të tjera. Duhet të kërkojmë vetëm të përmirësohemi ndeshje pas ndeshje, është një grup që kërkon të përmirësohet. Kemi treguar se pas një ndeshje të mirë, kemi luajtur dobët dhe më pas jemi përmirësuar. Ne do mundohemi të ngremë nivelin e skuadrës sa më lart taktikisht dhe teknikisht. Pjesa fizike është kjo që është dhe nuk kemi ç’përmirësojmë. Më intereson shumë që gabimet e një ndeshje të mos i përsërisim në ndeshjen tjetër ose të bëjmë më pak”, nënvizoi më tej Josa.








































