Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që orari kufizues për dy javët e ardhshme të jetë nga ora 20.00 deri në 06.00 të mëngjesit.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se masat janë marrë për dy javët e ardhshme pas rritjes së numrit të infektimeve, shtrimeve në spital dhe atyre në terapi intensive.
Krahas ndalimit të qarkullimit me këtë orar, është vendosur që të ndalohet brenda kësaj fashe dhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve brenda këtij orari kufizues.
Sakaq, ndryshime do të ketë dhe për shkollat. Në zonat me rrezik të lartë mësimi i shkollave të mesme do të kryhet online. Këtu përfshihen bashkitë Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz.
Përsa i përket universiteteve, sezoni i provimeve rekomandohet të zgjatet për të siguruar kombinim të provimeve online dhe atyre në auditor për lëndët ku kërkohet domosdoshmërisht prezenca sipas vlerësimit të bërë nga MASR.
Me gjasë kemi shtim të ndjeshëm të infektueshmërisë, jemi në një kohë kur kushtet atmosferike dhe jemi në mes të dimrit, e bëjnë më të pafavorshëm situatën, të kemi ulje të moshës së të prekurve. Kjo si pasojë ka sjellë dhe një shtim të ndjeshëm të misioneve të urgjencës tonë kombëtare, misoneve në banesë, transferimin në spitale dhe kjos ituatë është shtuar me shtim të rasteve në spitale dhe në terapi intensive.
MASAT E MARRA
- Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
- Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
- Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.
- Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.







































