Zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini paralajmëroi se nëse shifrat e të infektuarve vijojnë të larta edhe në ditët në vazhdim, atëherë Komiteti i Ekspertëve do të shtrëngojë masat.
Tomini deklaroi se pritshmëritë janë që edhe për javët në vijim numrat të jenë të lartë.
“Sigurisht që tendenca e ditëve të fundit ka treguar për një rritje të rasteve pozitive, e reflektuar edhe tek projeksionet tona, duke parë grumbullimet e qytetarëve në dhjetor, për të festuar apo lëvizjet jashtë Tiranës. Kemi parashikuar një tendencë në rritje në javët në vijim. Tri ditët e fundit kanë reflektuar mbi 1 mijë raste, kemi një pozivititet shumë të lartë dhe nivel transmetueshmërie shumë të lartë. Të gjithë bashkë jemi pjesë e të tërës, të gjitha masat duhet të japin efektet e tyre. Situata po monitorohet në dinamikë. Vlerësimi i masave shtrënguese po kryhet, nëse kjo situatë do të përshkallëzohet. Nëse situata do të vazhdojë kështu dhe vlerësimi i të gjithë indikatorëve do të përshkallëzohet me një numër më të lartë pozitiviteti, masat do të jenë shtrënguese”, u shpreh ajo për “Vizion Plus”.








































