Epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë se aktualisht nuk jemi në kulmin e shifrave, sa i përket situatës së koronavirusit në vend.
“Ky nuk është kulmi, kulmi ka qenë rreth datës 1 dhjetor sepse duhet të shohim jo shifrat absolute, jo ato numrat 800 apo 900, duhet të shohim përqindjen e testeve që dalin pozitive”, u shpreh mjeku.
Mjeku renditi edhe disa nga arsyet që kanë sjellë edhe rritjen e infektimeve javët e fundit.
“Çdo virus respirator dimrin ka periudhën më të keqe, këtë e kemi shumë të qartë. Duke marrë parasysh edhe ftohjen e motit. Kjo detyron njerëzit që të qëndrojnë brenda dhe nuk ajrosin dhe aq shumë ambientet. Ka disa arsye të lidhura më stinën. Arsye të tjera, kemi logjikën që ka qenë efekti i 2 javëshit, 10 ditëve të festave. Ai ka pasur një lloj efekti”, u shpreh mjeku.
Mjeku nuk përjashtoi edhe ekzistencën e mutacioneve të reja që mund të jenë futur në Shqipëri.
“Pastaj kemi atë të panjohurën, që ju përmendët pa më parë, sa mund të jetë depërtimi i formave të reja”, u shpreh mjeku.
“Patjetër që edhe varianti britanik është edhe në Shqipëri, ka ndonjë dyshim? Është në Greqi, Maqedoninë e Veriut, në Kosovë. Nuk është në Shqipëri?!”, tha ai më tej.
Kujtojmë se deri tani Komiteti i Ekspertëve ka mohuar të jenë identifikuar raste me variantin e ri të COVID.







































