Komandanti i grupit të zjarrit të gardës Agron Malaj deklaron se një ditë para, më 20 janar kishin marrë paralajmërim për një atentat ndaj Berishës dhe më 21 janar kishte pasur tentativa për ta evakuuar nga Kryeministria, por ai nuk kishte pranuar.
“Me kryeministrin nuk kam pasur komunikim direkt, vetëm me komandantin e njësisë speciale. Jam ngjitur 1 herë në kat të 2 kur u përgatit një plan evakuimi, ku kam parë Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Policisë së Shtetit dhe komandantin e Gardës në hollin e kryeministrisë, po debatonin, kish tension në biseda.Basha ka qëndruar tërë kohën në kryeministri, duke lëvizur në pozicione të ndryshme nëpër godinë.
Se ku ndodhen provat nuk mund t’i them se nuk është çështje që më takon, unë kam pasur 3 çifte snajperësh, pra të shoqëruar me nga një ndihmës snajperist, kemi pasur komunikim për 1 person që mund të kishte armë brezi, që duhet të jenë fotografuar, por unë fotografi nuk kam. Urdhri ka qenë të rrinë në pritje, pasi armët e snajperistëve mund të bëjnë shumë dëm në turmë, dhe ne nuk ishim agresorë me armë në dorë duke hapur zjarr drejt objektit. Aty duhej të ruhej qetësia dhe të përballojë pjesën e operacionit.
Gjatë planit që bëmë në datë 20 janar, patëm info nga Policia e Shtetit, ku thuhej se gjatë lëvizjes së kryeministrit, nga kryeministria për në banesë, mund të kishte atentat. Ne morëm masa me 2 blindat e Policisë Ushtarake që i kishim Brenda kryeministrisë, për t’i pasur gati për evakuim, por ai qëndroi aty dhe nuk lëvizi nga kryeministria. Pati 2-3 tentativa për të bërë evakuimin e kryeministrit. Nuk pranoi.