Detaje të reja janë zbuluar lidhur me hetimet për vrasjen e Hekuran Billës, ngjarje kjo e ndodhur në maj të 2020 në zonën e Komunës së Parisit, duke e kthyer sërish në skenë këtë ngjarje. Sipas burimeve, autorët kryesorë të dyshuar për këtë krim janë personat me iniciale V. Marku, e nipi i tij S. Mali. Ndërsa, në automjetin Nissan Micra që i dyshuari S. M., mësohet ta ketë marrë me qira janë gjetur 3 fije floku nga ku janë përfituar dy kampione ADN. Provë kjo e fortë, e cila do të vërtetojë ose jo përfshirjen e autorëve të dyshuar në këtë ngjarje. Prandaj pritet që, me vendim prokurorie kampionet të krahasohen me kampionet e dy të dyshuarve. E në këtë mënyrë nëse do të konstatohet përputhshmëri, atëherë rezultati do të jetë një provë vendimtare për fajësinë e të dyshuarve, dajë e nip, të cilët sipas prokurorisë organizuan dhe ekzekutuan Billën për motive hakmarrje, përderisa ai kishte vrarë në 2006 në Britaninë e Madhe, të afërmin e tyre P. M., 22 vjeç. Kujtojmë se, V. M., e nipi i tij S. Mali, u arrestuan pak ditë pas ngjarjes së rëndë, si të dyshuarit kryesorë për krimin. Ndërsa, prokuroria urdhëroi edhe arrestimin e personit A. Lakra, e cila dyshohet se u përdor për të nxjerrë në pritë ish të dënuarin, Hekuran Billa. Megjithatë në këtë mori hetimesh, aktualisht prokuroria është duke analizuar edhe të dhënat e siguruara nga kompanitë celulare, për të konfirmuar përmes qelizave të celularëve nëse të dyshuarit janë gjendur në vendin e ngjarjes. Gjithë hetimet e bëra deri më tani për këtë ngjarje priten të mbyllen në mars të 2021 kur do të vendoset për fatin e të dyshuarve. Ndërsa kujtojmë sërish se, Hekuran Billa u ekzekutua në maj të vitit të kaluar vetëm pak kohë pasi ishte liruar me kusht nga Gjykata e Krunës. Ai ishte ekstraduar nga Britania e Madhe për vrasjen e P. Markut dhe po vuante dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë. Në atë kohë, Gjykata e Tiranës vendosi ta njohë vendimin penal të huaj dhe dënoi përjetësisht Billën. Por, favorizimi i tij u bë nga Gjykata e Apelit, e cila vendosi ta prishë vendimin e Shkallës së Parë dhe dënoi Billën, me vetëm 25 vite burgim. Me vendimin nuk ishte e kënaqur prokuroria, e cila bëri rekurs, por për shkak se Gjykata e Lartë hyri në kolaps, ajo dosje u mbulua nga pluhuri.
Hetimet
Sipas dosjes hetimore lidhur me këtë ngjarje, nga verifikimet e kryera, më 19 janar, rezulton se i dyshuari V. Marku ka kaluar drejt Malit të Zi nëpërmjet pikës kufitare të Muriqanit, teksa dyshimet e prokurorisë janë përqendruar se ai ka hyrë në tokën shqiptare, nëpërmjet kufirit të gjelbër. Sakaq nga kamerat e sigurisë të bizneseve pranë vendit ku ndodhi vrasja, Marku është parë të zbresë nga një makinë tip “Smart”, të cilën e kishte marrë me qira, për të hipur në një tjetër tip “Benz”, e njëjta e cila u përdor nga autorët e atentatit dhe që rezulton e vjedhur. Hetimet kanë zbuluar se makina tip “Benz” ka ndjekur viktimën që nga zona e Kombinatit, për ta ekzekutuar më tej në zonën e “Komunës së Parisit”. Marku qëndronte në mënyrë të parregullt në Malin e Zi dhe falë shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe policisë malazeze, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e tij në shtetin fqinj, për t’iu dorëzuar autoriteteve shqiptare në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit. Krahas V. Markut, policia ka arrestuar si bashkëpunëtor në krim, 22-vjeçarin S. Mali. Ndalimi i Malit sipas policisë u bë pasi, në datën 11 qershor, rreth orës 21:50, në rrugën “Prokop Mima” Tiranë, ka bashkëpunuar në vrasjen me armë zjarri të shtetasit Hekuran Billa. Mali është nipi i P. Markut, i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga viktima Hekuran Billa, për të cilën ai ishte dënuar dhe kishte arritur që të lirohej.