Veprat shqiptare janë pak në skenat tona teatrore. Problemi me dramaturgjinë shqipe që nuk tregohet interesi i duhur vazhdon, dhe në reagimet e tyre herë pas here emra të njohur të teatrit kanë pohuar se duhet më shumë vëmendje. Regjisorja Elma Doresi është e njohur me aktivitetin e saj në skena teatrore të ndryshme, e cila ka sjellë disa shfaqje me vepra shqiptare që janë vlerësuar nga publiku dhe kritika. Por këtë muaj të parë të vitit 2021, regjisorja shprehet një nga arsyet që mungojnë veprat shqiptare është se ato nuk mund të vidhen. Regjisorja Elma Doresi shprehet se vepra shqipe duhet dashur dhe jo përdorur. “Drama e dramës shqipe, nuk është xhamadani që këndohet lokaleve në orët e para të një mëngjesi, në fund të çdo koncerti për të krijuar atmosferë. Nuk është ajo shqiponja apo foto e çdo 28 Nëntori. Drama shqipe duhet dashur, jo përdorur! Drama e dramës shqipe është se nuk e gjen dot në YouTube. Kjo është pika e parë. Duke qenë se rëndomtë shfaqjet vidhen nga “bota”, dramën shqipe nuk ke ku ta vjedhësh. Kështu që zgjidhja e parë dhe më e lehta është: Të heqim dorë!”, shprehet Doresi, në një postim të saj shkruar në Facebook. Nuk është hera e parë që regjisorja e njohur Elma Doresi flet për mungesën e dramës shqipe në skenat tona. Sipas saj, nëse përmenden vepra të autorëve të huaj vrapojnë për pjesët e tyre, por një autor shqiptar i tremb me veprën që ka shkruar. “Drama e dramës shqipe është se nuk e beson njeri. Fjala bie, në rast se do të them: Shekspir, Çehov, Strinberg, Molier të gjithë do të vraponin për ta marr, ndryshe nga një emër shqiptar i cili i tremb ose e thënë ndryshe , e paragjykojnë”, vijon më tej Doresi në reagimin e saj këtë herë mbi problemet e dramës shqipe në skenën shqiptare.
Drama shqipe me të mirat dhe të metat e saj
Regjisorja Elma Doresi thotë se nëse do të futesh në lexim të dramës shqipe, pra nuk do të lexosh subjektin apo sinopsin, do të gjesh të mirat e saj, të metat, ku mund të ndërhysh, ku mund ta shohësh sërish, etj. “Personalisht kam nxjerr një përfundim tek drama shqipe, një mungesë e thënë ndryshe. Kanë gjetje, por mbeten aty. Nuk zhvillohet. Bie në përsëritje. Mbetet brenda një linje. Pra kemi një histori, dhe vërtitemi rreth saj. Kjo gjë të lodh, sepse është njësoj si të thuash një histori çdo ditë”, thotë Doresi. Ndërsa shprehet për mungesën e dramës shqipe në skenat tona, regjisorja Elma Doresi sjell në vëmendje një nga veprat e suksesshme shqiptare në teatrin tonë. Bëhet fjalë për komedinë e njohur “Pallati 176” e vënë në skenë disa dekada më parë. Komedia “Pallati 176” shkruar nga Adelina Balashi është shfaqur në Tiranë në vitin 1986, në Teatrin Kombëtar. Regjisorja thotë se dhe kjo vepër u përpunua gjatë rrugës dhe punës në teatër. “Thuhet se, edhe komedia e famshme e jona “Pallati 176”, ka pësuar ndryshime nga teksti i parë që është dorëzuar në teatër. Pra, dikur një vajzë e re solli një tekst në teatër. Tematika u pëlqye. Vepra u mor dhe këtu nisi një punë sërish, duke e përpunuar gjatë rrugës dhe punës brenda teatrit. Po tek ne? Ne lexojmë sinopsin. Neve, edhe nëse e lexojmë veprën na duket punë e madhe, shumë përpunim, etj. Kështu zgjedhim rrugën e shkurtër: Vepra juaj është interesante, por do ta shohim në një moment të dytë. Ka ende dramaturg që presin e presin që dikush t’u lexojë e të paktë ata, që dhe mund t’u inskenohet vepra. Drama shqipe edhe pas kaq vitesh, mbetet tek dera në pritje, që dikush t’i lexojë”, vijon mes të tjerave regjisorja. Në punët më vepra shqiptare në skenë nga regjisorja Elma Doresi përmendim shfaqjet teatrore “Karnavalet e Korçës, “14 vjeç dhëndërr”, “Nusja në thes”, “Tri mendje në ankand”, “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”, si dhe dy vite me konkursin e ” Netëve të leximit të dramës shqipe”.

































