Teatri Kombëtar: Nuk njohim “Akademinë Kult” si organ kompetent për dhënien e çmimeve, të distancohet edhe Ministria e Kulturës

0
247

Teatri Kombëtar nuk e ka njohur “Akademinë Kult”, si një organ kompetent për të dhënien e çmimeve dhe i bën thirrje Ministrisë së Kulturës të distancohet nga njohja dhe mbështetja financiare e saj. Përmes një deklarate Teatri Kombëtar i bën thirrje edhe artistëve që të distancohen nga çmimi, i cili nuk ka qenë inkurajim. Në një deklaratë të bërë publike të mërkurën, Teatri Kombëtar shprehet se shoqata nuk ka marrë leje nga institucionet për të përdorur veprën e tyre. “Teatri Kombëtar prej vitesh përballet me një shkelje flagrante të ligjit “Të së drejtës së autorit” nga shoqata e quajtur “Akademia Kult”. Kjo shoqatë asnjëherë nuk e ka marrë mundimin të kërkojë leje nga institucionet publike dhe nga individët artistë, për të përdorur veprën e tyre artistike dhe personalitetin artistik të gjithsecilit”, thuhet në deklaratën e Teatrit Kombëtar. Deklarata e Teatrit Kombëtar vijon se çmimi nga “Akademia Kult” nuk ka qenë inkurajim, por ka krijuar dhe realitete false me vlerat që ofron tregu. Sipas Tetarit Kombëtar një çmime shpeshherë edhe me abuzime. “Fatkeqësisht ky çmim nuk ka qenë një inkurajim për njerëzit e artit dhe kulturës, përkundrazi ka qenë një realitet i gënjeshtërt, shpeshherë edhe me abuzime të turpshme në kurriz të veprës artistike dhe personalitetit të individit pjesëmarrës. Përgjithësisht çmimi është shpërndarë sipas interesave, kapriçove të drejtuesve të kësaj shoqate, duke krijuar realitete false për sa i përket vlerave që ofron sot tregu artistik”, thuhet në deklaratë. Sipas Teatrit Kombëtar, çdo vit është komunikuar me “Akademinë Kult” për mospërfshirjen në edicionin e tyre, por kërkesa nuk është përfillur. Institucioni shprehet se edhe pse janë bërë kërkesa, puna ka vazhduar duke përdorur veprat e Teatrit Kombëtar. “Çdo vit i kemi komunikuar “Akademisë Kult”, mos përfshirjen e shfaqjeve të Teatrit Kombëtar në edicionin e tyre të përvitshëm por gjithmonë përgjigjja e tyre ka qenë arrogante, duke vazhduar të mos përfillin kërkesën tonë. Kemi vazhduar përpjekjet tona duke i dërguar edhe një shkresë zyrtare me Nr.841 Prot. Datë 25.11.2019, ku i citojmë ligjin e, “Të drejtës së autorit” me Nr.35/2016 dhe konkretisht neni 69, ku shprehimisht cilësohet se: “Kur vepra krijohet nga një punëmarrës në kushtet e kontratës së punës, gjatë ekzekutimit të detyrave e të udhëzimeve të dhëna nga punëdhënësit e tij, do të konsiderohet se të drejtat pasurore dhe të drejtat e tjera për këtë vepër kanë kaluar eksluzivisht për punëdhënësin, për një periudhë kohore prej 3 vjetësh nga data kur vepra i është dorëzuar punëdhënësit, përveç kur parashikohet ndryshe në kontratë”. Nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje të kësaj shkrese dhe ndërkohë ata kanë vazhduar të përdorin veprat e TK-së”, thuhet në deklaratë.

 Distancim nga çmimi

 Deklarimi i Teatrit Kombëtar që nuk njeh “Akademinë Kult” vjen pas teatrit “Migjeni” në Shkodër, një tjetër institucion i artit në vendin tonë. Teatri Kombëtar në fund të deklaratës së tij ndërsa i bën thirrje Ministrisë së Kulturës që të distancohet nga “Akadmeia Kult”, po ashtu fton dhe artistët për të mbrojtur dinjitetin e tyre. “Teatri Kombëtar nuk e ka njohur asnjëherë “Akademinë Kult” si një organ kompetent për dhënien e çmimeve, të njëjtën gjë ka deklaruar edhe teatri “Migjeni”, një tjetër institucion publik i rëndësishëm i artit. I bëjmë thirrje Ministrisë së Kulturës dhe partnerëve financiarë të kësaj shoqate, të distancohen nga njohja dhe mbështetja financiare e saj. Gjithashtu, Teatri Kombëtar i bën thirrje të gjithë artistëve, të çdo zhanri, të distancohen nga ky çmim i gënjeshtërt, duke mbrojtur dinjitetin e tyre profesional dhe vlerat e vërteta të artit dhe kulturës shqiptare”, përfundon deklarata e Teatrit Kombëtar. Çmimet “Kult” janë çmime të përvitshme nga “Akademia Kult” që vlerësojnë prurjet kulturore dhe artistike të vitit që prej 2005.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here