Braziliani Pele konsiderohet zyrtarisht nga FIFA si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave, edhe pse në publikun e gjerë tema e më të mirit asnjëherë nuk merr përgjigje, për më tepër që bota ka njohur në më shumë se një shekull lojtarë fenomenalë si Maradona, Krujf e të tjerë që kanë lënë gjurmët e tyre të mëdha në historinë e këtij sporti. Vitet e fundit, futbolli botëror në aspektin individual është dominuar nga dyshja Lionel Mesi-Kristiano Ronaldo, i pari me 6 topa të artë e portugezi me 5 topa të artë. Por në aspektin e totalit të golave, duke qenë dy vjet më i madh edhe në moshë, Ronaldo po shkon drejt një rekordi fenomenal. Bëhet fjalë për një rekord që e fut atë në listë si golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit. Kështu, Kristiano Ronaldo e ka barazuar rekordin e Jozef Bikanin për gola të shënuara për klubin dhe kombëtaren dhe tani është vetëm një gol larg rekordit historik si golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit. Ronaldo e shënoi golin e tretë të fitores së Juventusit 3:1 kundër Sasuolos të dielën në “Allianz Stadium”. Ai ishte goli i 759-të i Ronaldos në karrierë për klub dhe kombëtare dhe tani atij i nevojitet vetëm edhe një gol për t’u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit. Bikan, i cili ishte sulmues çek që luajti për Rapid Vienën, Admira, Slavia Pragë dhe Dinamo Prague nga viti 1931 deri më 1955. Ronaldo e kaloi Pelen për më së shumti gola zyrtare, por legjenda braziliane këmbënguli se ylli i Juventusit nuk e ka thyer rekordin e tij për më së shumti gola në historinë e futbollit nga një futbollist. Pele e ndryshoi numrin e përgjithshëm të golave në 1.283, duke i përfshirë edhe golave që i kishte shënuar në ndeshje jozyrtare, pra miqësore. Pele ka shënuar shumë gola, kjo është e vërtetë, por organizmat seriozë ndërkombëtar që merren me statistikat në futboll, i llogarisin golat e Peles me koeficientin 1 dhe 1.5 për çdo gol e jo 2 sikurse llogariten golat në top-5 ligat europiane. Sipas shumë analizave, golat e dikurshëm të Peles do të ishin sa për 700 gola në ditët e sotme. Megjithatë, ikona braziliane pretendon se të kundërtën. Ronaldo do të vijojë të thyejë rekorde pasi po kalon formë të mirë sportive dhe ditë pas dite po konfirmohet si lojtar i rëndësishëm tek Juventusi, me ambicien që ta fitojë sërish titullin. Por skuadra ka probleme, kështu që “drejtuesit e klubit bardhezi pritet të bëjnë lëvizje të forta në treg. E thënë ndryshe, Juventusi mendon për të tashmen por edhe për të ardhmen. Bardhezinjtë kanë bërë një goditje në merkato përsa i përket perspektivës, teksa kanë mbyllur marrëveshjen me Xhenoan për talentin e mesfushës Nikolo Rovella i cili është në skadencë kontrate me skuadrën ligure. Akordi mes Juves dhe Xhenoas është arritur për shumën e 10 milionë eurove, plus kartonin e Manolo Portanovës që do të kalojë te Xhenoa. Të dy futbollistët kanë kaluar vizitat mjekësore dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi, megjithatë Rovella me shumë gjasa do të qëndrojë te Xhenoa në formë huazimi deri në fund të këtij sezoni, për t’u transferuar në verë te skuadra bardhezi.