Lazimi dhe Tare: Ndërtesa e ish-“Radio Tiranës” me rëndësi në fushën e trashëgimisë kulturore, mos të shembet, shteti ta restaurojë

0
318

Ndërtesa e ish “Radio Tiranës” që ka statusin monument kulture nuk duhet të shembet, por të ruhet dhe restaurohet. Kështu shprehen në reagimet e tyre specialistë të ndryshëm të fushës së trashëgimisë kulturore në vend. Gjatë këtyre ditëve ata janë shprehur se statusi monument kulture nuk po i mbron më objektet dhe Ministria e Kulturës ka hequr nga mbrojtja disa vila të viteve ’30 në Tiranë, që po prishen një nga një për ti lënë vendin ndërtimeve të reja. Edhe arkitekti Latif Lazimi dhe Auron Tare që është dhe në Këshillin Shkencor në UNESCO dalin në mbrojtje të ndërtesës së ish “Radio Tiranës”. Në një reagim të tij Tare pohon se godina e ish “Radio Tiranës” është ajo ku folën një sërë personalitetesh të shquara shqiptare. “Përpara disa ditësh postova një foto të një prej godinave ikonë të trashëgimisë sonë kombëtare. Radiostacioni i Parë i Shqiptarëve. Inauguruar nga Mbreti Zog ishte godina prej nga ku bota dëgjoi për herë të parë fjalët “Ju Flet Tirana”. Ishte godina nga ku folën një sërë personalitetesh të shquara të jetës shqiptare. Godina ku u dëgjuan zërat e parë operistike teatrore e kështu me radhë. Ishte simboli Europian i qytetit, vendi nga ku në hapësirën e pamatë përçonte në eter një pjesëze të botës shqiptare”, shprehet Tare. Në mbrojtje të ndërtesës së ish “Radio Tiranës”, në statusin e tij në Facebook mes të tjerave Auron Tare shprehet se në mes të Tiranës po prishet një ikonë e trashëgimisë kulturore dhe askush nuk flet. Sipas tij, kjo godinë siç duket qartë në foto po pret ditën kur do të shembet për t’ju hapur rrugë pallatit të radhës. “Në një vend normal Radiostacioni i Parë është një ikonë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të atij kombi. Postimi im nuk kishte asnjë koment përveç nja dy like, që më shumë i shtonin trishtimin e indiferentizmit të “patriotëve shqiptare” në këto ditë shiu. Mu në mes të Tiranes këtyre “patriotëve” sigurisht edhe mua po ju prishet një prej ikonave të trashëgimisë kulturore dhe askush nuk flet. Jo më të protestojë jo e jo, por as edhe një koment në FB nga dhoma e ngrohët e janarit. Ja pra kjo godinë është shembulli më i mirë i patriotizmit të sotëm shqiptar. Indiferentizmi dhe moskokëçarja për trashëgiminë e vet gjë që brezat që do të vijnë do të duhet të jetojnë në një shkretëtirë kulturore pa asnjë identitet”, shprehet Tare në qëndrimin e tij.

Ndërtim i një periudhe të rëndësishme

Arkitekti Latif Lazimi, që për 40 vjet është marrë me restaurimin e banesave në qendrat historike të Gjirokastrës, Beratit, etj, shprehet se ndërtesa e ish “Radio Tiranës” përfaqëson ndërtimet e një periudhë të rëndësishme në vendin tonë. “Ndërtesa e ish “Radio Tiranës” është një ndërtim i fillimeve të shek.XX dhe si e tillë përfaqëson ndërtimet e kësaj periudhe shumë të rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore arkitektonike, jo vetëm për qytetin e Tiranës, por dhe për mbarë Shqipërinë e asaj kohe. Një ndërtim me funksion për kulturën shqiptare të radios së parë shqiptare dhe në vijim me funksionin e rëndësishëm si Instituti i Kulturës Popullore Shqiptare”, shprehet ai. Arkitekti Latif Lazimi tregon se në studimet që janë bërë për qendrën historike të Tiranës ajo ka qenë monument kulture për të dy komponentët e rëndësishëm, si historik dhe atë arkitektonik. “Ajo duhet të mos prishet dhe shteti shqiptar duhet patjetër ta restaurojë. Po hap një zgjidhje si mund të ruhen këto ndërtime nga mos prishja dhe duhet të restaurohen nga shteti shqiptar. Këto ndërtime që kanë pronarë duhet të blihen nga shteti, nga pronarët të cilët nuk janë të interesuar për tu ruajtur dhe për arsye të amortizimit të madh në kohë. Por ndërkohe shteti që është i interesuar duhet ti blejë dhe ti restaurojë, sepse kështu mbron trashëgiminë kulturore shqiptare, duke i kthyer në muze ose në funksione të tjera me të cilat krijon mundësi dhe fitimi financiar, përveç ruajtjes së kulturës shqiptare, shprehet ai. Sipas tij, kjo praktikë bëhet në mbarë botën, si në Europë dhe në Amerikë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here