Një pjesë e deputetëve aktualë të Partisë Socialiste rrezikojnë të mbeten jashtë listave të kandidatëve sa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme shihen nga të gjithë si tepër të rëndësishme dhe për këtë arsye çdo forcë politike po mendon që të prezantohet para qytetarëve me ekipin më të mirë. E tillë është dhe PS, ku vetë shefi i selisë rozë herë pas here është treguar mjaft kritik me deputetët aktualë socialistë, ndërsa i ka paralajmëruar se kush nuk arrin objektivat e vendosura nga ai, do të ngelet jashtë listave të Partisë Socialiste.
Rama u hap derën 58 të rinjve
Por duket se sinjalin e parë për të shkaktuar furtunë brenda grupit parlamentar, kryesocialisti Rama e ka dhënë dje. Në Partinë Socialiste nisi ditën e djeshme faza e dytë e procesit “Deputeti që duam”, proces nga i cili sipas socialistëve, do të dalin një pjesë e rëndësishme e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit. Në aktivitetin e zhvilluar me aplikantët që kanë kaluar në fazën e dytë, ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ky i fundit gjatë fjalës së tij në konferencën online të zhvilluar, zbuloi se tashmë janë përzgjedhur 58 emra për të kaluar në fazën tjetër për të qenë pjesë e ekipit në 25 prill, nga 1600 kandidatët që aplikuan tek platforma “Deputeti që duam”. “Më vjen mirë që kjo nisëm që materializohet për herë të parë ka gjetur mbështetje për faktin se rreth 1600 vajza dhe djem, gra e burra të një gjenerate të re kanë hedhur hapin që të shprehin interesin e tyre në mënyrë të guximshme, më vjen mirë në gjithë këtë masë individësh ambiciozë, që nuk ka qenë e lehtë nga ana e grupit për të filtruar ata që sot janë këtu për fazën e dytë. Tanimë kjo fazë është faza e konsolidimit të këtij grupi të ri dhe janë 58 emra që përfshihen në listën e atyre që e kanë prezantuar më mirë veten më mirë pse-në e kësaj nisme individuale, kanë prezantuar dhe fuqinë e ambicies së tyre”, deklaroi ai. Pra, me përzgjedhjen e 58 kandidatëve për në fazën tjetër, shumë deputetë aktualë të Partisë Socialiste po shkojnë drejt largimit. Madje, sipas burimeve nga PS nga 58 emrat që janë përzgjedhur nga platforma “Deputeti që duam”, 20 prej tyre do të jenë pjesë e listës zyrtare të PS në zgjedhjet e 25 prillit, ku shumica e tyre pritet të vendosen në lista fituese. Kjo do të thotë se bashkë me emrat e rinj që pritet të propozohen nga komuniteti, biznesi, bota akademike, etj., gjasat janë që pjesë e mirë e deputetëve aktualë mund të mbeten jashtë listave të Partisë Socialiste.
Qëndrimi i Ramës
Ndërkohë, kryeministri Rama u kujdes që t’i falënderonte dhe inkurajonte kandidatët e përzgjedhur, që sipas tij, të vijojnë punën e nisur me grint dhe patos. “Unë i inkurajoj ata që nuk kanë kaluar fazën e dytë që të mos tërhiqen, por të kuptojnë se për të shpalosur potencialin e brendshëm duhet punë, përgatitje, trajnim. Dua t’u them të gjithëve që edukimi i vetvetes është i nevojshëm sidomos kur merr përsipër të komunikosh me komunitetin. Edhe për mua që flas këtu është domosdoshmëri për të ushqyer veten me informacion”, u shpreh ai. Nga ana tjetër, Rama nuk harroi të inkurajonte edhe kandidatët që u skualifikuan, për të cilët tha se janë po aq të talentuar sa 58 emrat e përzgjedhur për në fazën e dytë. “Natyrisht që kjo nuk do të thotë që ata të cilët nuk janë përfshirë në këtë listë janë më pak të talentuar, apo më pak të prerë për t’u përfshirë në këtë aktivitet kaq kompleks si përfaqësimi politik, apo që ata që janë përzgjedhur kanë arritur ta shpalosin më së miri vetveten”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.