Mjeku i njohur Genc Sulçebe i është përgjigjur me fakte kreut të Urgjencës Skënder Brataj. Pak ditë më parë Akademia e Shkencave kreu një studim të drejtuar nga doktor Sulçebe, ku thuhej se rreth 50 % e banorëve të Tiranës kanë fituar imunitet ndaj Covid-19. I vetmi që ka dalë kundër mjekut është Brataj, por Sulçebe ka reaguar dje me statistika. Me anë të një postimi në rrjetet sociale mjeku shkruan se është i çuditur nga ajo që ai e cilësoi si denigrimi subjektiv që Brataj i ka bërë këtij studimi. Sipas tij, Brataj flet me hamendje, ndërsa sqaroi se pse përqindja e pretenduar nga Brataj nuk është e saktë. Po ashtu mjeku theksoi se Brataj nuk duhet të merret me studime të cilat janë jashtë fushës së tij dhe pa u konsultuar më parë me ekspertizën mjekësore. “Dëgjova më datë 9 Janar 2021 prononcimin në media të zotit Brataj lidhur me studimin e Akademisë së Shkencave mbi seroprevalencën e infeksionit Covid-19 në qytetin e Tiranës. Më çuditi denigrimi krejt subjektiv që Z. Brataj i bën këtij studimi. Ai nuk e pranon shifrën e mësipërme për qytetin e Tiranës dhe thotë, sigurisht vetëm me hamendjen e tij, që seroprevalenca e vërtetë në qytetin e Tiranës është 20 deri 25%. Këtu ai i referohet dhe burimeve epidemiologjike nga SHBA të cilat konfirmojnë që prevalenca e vërtetë e infeksionit në popullatë është 10 herë më e lartë se sa numri i individëve të deklaruar zyrtarisht. Përgëzoj pa dyshim punën e Z. Brataj për organizimin e Urgjencës Mjekësore, por e ftoj atë të konsultojë ekspertizën shkencore përpara se të prononcohet publikisht për studime jashtë fushës së tij operacionale”, theksoi Sulçebe.
Mjeku flet me shifra
Ndër të tjera, mjeku u shpreh se, Brataj mund të jetë i saktë me shifrat lidhur me infektimin e popullsisë në gjithë Shqipërisë, të cilat sipas tij korrespondojnë me 21% të popullsisë. Ai vijoi më tej duke thënë se sa i përket Tiranës shifrat e deklaruara nga Brataj janë shifra të gabuara. “Duke u nisur nga kjo referencë e përmendur nga vetë z. Brataj dhe siç pohon dhe vetë ai në prononcimin e tij, në qoftë se numri i personave të deklaruar në Shqipëri si të infektuar me Covid-19 deri tani është rreth 60 000 atëherë numri real i individëve të infektuar duhet të jetë në fakt 600 0000 që korrespondon me rreth 21% të popullatës shqiptare. Deri këtu ne jemi dakord me z. Brataj, por për sa i përket qytetit të Tiranës ai është krejt gabim pasi kjo përqindje nuk mund të jetë e vlefshme për kryeqytetin”, bëri me dije ai. Sakaq, mjeku deklaroi se Tirana është qyteti i cili ka pasur shifrat më të larta të infektimit në vend, ndërsa theksoi se shifrat korrespondojnë edhe me ato të studimit që u realizua nga Akademia. Ndër të tjera, mjeku Sulçebe u shpreh se në studimin e realizuar është bërë një përzgjedhje e popullsisë dhe se të dhënat janë marrë nga regjistrat e qendrave shëndetësore. “Dihet që Tirana, sipas të dhënave zyrtare të deritanishme, përbën gjysmën e rasteve me Covid-19 të gjithë Shqipërisë. Atëherë, në zonat urbane të Tiranës duhet të jenë deri tani të paktën 300 000 të infektuar nga Covid-19. Kjo vlerë korrespondon dhe me shifrën afër 50% të seroprevalencës së antitrupave anti SARS-CoV-2 që nxori dhe studimi i Akademisë së Shkencave në qytetin e Tiranës. Pra hamendja e Z. Brataj që Tirana ka një përqindje infeksioni prej maksimum 25% është e gabuar. Kriteri kryesor në të dy fazat ishte përzgjedhja e rastësishme e një kampioni popullate që të përfaqësojë sa më mirë popullatën e moshave 20 deri 70 vjeç që janë përdorues të mbulimit shëndetësor publik në qendrat shëndetësore të qytetit të Tiranës”, tha ai.