Fushata e vaksinimit kundër koronavirusit në vendin tonë do të nisë në javën e tretë të muajit janar, teksa në stadiumin “Air Albania” çdo gjë është bërë gati. Eugena Tomini, shefe e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP ka rrëfyer të tjera detaje nga përgatitjet dhe se ku do të magazinohen vaksinat.
“Janë siguruar për rreth 30 mijë doza frigoriferët mbi -70 gradë. Ne jemi në gatishmëri edhe me tre frigoriferët që janë në qendrën e barnave, një në QSUT dhe ISHP që ka dhomat frigoriferike. Megjithatë për Pfizer për 30 mijë dozat janë siguruar frigoriferët -70 gradë. Lotet do të jenë nga 30 mijë doza” tha ajo.
Por për sa kohë do të injektoheshin 500 mijë vaksinat?
“Nëse ne kemi kapacitetin, do të tërheqim 500 mijë doza dhe sipas një kalendari të përcaktuar dhe lista e personave që do të fillojë sipas grupeve të riskut. Fillojmë por për 21 ditë të vjen radha për dozën e dytë dhe ezaurimi hap pas hapi ezaurohen duke eliminuar totalin e vaksinave.
Nëse nga 60 bokset që ka gjithë arena (stadiumi), aktualisht janë 20, për një orë qarkullojnë gati 60 individë, do të punohet për 8-10 orë në ditë. Pas aplikimit qytetari duhet të qëndrojë rreth 30 minuta. Sasia që vjen në bazë të një kalendari”.-tha ajo.
Pas Tiranës, Tomini tha se po bëhen gati ambientet edhe në Vlorë dhe Shkodër. “Po përgatitet Vlora dhe Shkodra. E rëndësishme është të fillojmë vaksinimin në mënyrë të centralizuar më pas pavarësisht nga transporti do të shpërndahen sipas grafikut, Shkodra dhe Vlora në një etapë të dytë. Nëse vaksina hapet brenda disa orëve duhet të ezaurohet. Në kushtet frigoriferike dhe vendosja në këto dy zona, Shkodër dhe Vlorë, do të jetë një facilitet” shtoi Tomini.








































