Numri i të infektuarve me koronavirus në vendin tonë, fatmirësisht është në ulje, po ashtu edhe i viktimave. Për epidemiologun Ilir Alimehmeti, nuk kanë luajtur rol vetëm masat e kufizimit por edhe ndërgjegjësimi qytetar dhe shmangia me grumbullime njerëzish. Por për masat që u morën gjatë festave ai thotë se duhet pritur 10 ditë që të reflektohet në shifra. Ai jep një sugjerim kur thotë se duhet të ketë një lehtësim gradual të masave.
“Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në ulje të shifrave. Kemi një përqindje të lartë njerëzish që e kanë kaluar, me shifra zyrtare ne kemi 1 në 50 veta që e kanë kaluar. Ka një ndërgjegjësim kemi evitim grumbullimesh dhe kontaktet e tepërta. Të gjitha bashkë çojnë në ulje të shifrave. Ne kemi shumë indikatorë në rënien dhe masat që u morën për festat bën sens të largohen sepse ne këtë rënie nuk e kemi nga këto masa por nga situata e mëparshme. Shumica e familjeve ka festuar brenda shtëpive pa krijuar atë gjurulldinë e zakonshme të festave. Le ti lemë dhe 10 ditë kohë që të shohim a ka pasur efekt masa e fundvitit”.-tha ai.
Ndërsa për procesin e vaksinimit, kur pritet që në këtë muaj të mbërrijnë dozat e para, epidemiologu tha se do jenë të parët bluzat e bardha dhe mosha e tretë.
Ai tha se do të bëhet një llogari e saktë se kush do të ketë prioritet, duke shtuar se mjekët apo infermierët që e kanë kaluar mund t’jua lënë radhën kolegëve të tyre që nuk janë përballur ende me virusin.
“Vaksinimi fillon me kategorinë më në riskuar që është personeli mjekësor dhe më pas moshat e vjetra. Kush e ka kaluar nuk është aq prioritar, prandaj mund t’ia lërë radhën një kolegu. Prandaj duhet gjykuar me prioritet se kush ta marrë pasi vaksina hyn në çdo shtet në një përqindje shumë të vogël.”-shtoi mjeku.









































