Në Shqipëri, qumështit të gomaricës i janë kredituar virtyte të imunitetit dhe, në mes të kësaj pandemie, kërkesa po shpërthen për këtë produkt të ngrohtë mirëbërës.
“Kërkesa për qumësht gomarice është në rritje, veçanërisht në muajt e fundit”, tha Elton Kikia, 37 vjeç, i cili dy vjet më parë la punën si gazetar për të marrë përsipër drejtimin e fermës së vogël familjare në fshatin Papër.
“Me një prodhim maksimal prej tri litrash në ditë, ne nuk mund ta plotësojmë kërkesën”, vazhdoi Kikia, duke shpjeguar se dëshiron të shtojë numrin e kafshëve të tij të qumështit.
“Prodhimi i qumështit është një mënyrë për të ruajtur dhe mbrojtur speciet. Ne i trajtojmë ato dhe i rehabilitojmë, madje edhe psikologjikisht”, u shpreh Riza Kikia, 71 vjeç, babai i Eltonit.
Pavarësisht nga çmimi i lartë, 50 euro për litër, lëngu i çmuar është shumë i kërkuar.
“Qumështi i gomaricës është një ilaç i mirë natyror për traktin respirator”, thotë Klea Ymeri, studente e Mjekësisë, e cila ka shkuar rregullisht në Papër për të blerë qumështin për të ndihmuar prindërit e saj të shëroheshin nga COVID-19.
“Ka një interes të shtuar për produktet e bukurisë, sepse njerëzit kalojnë më shumë kohë në shtëpi dhe mund të kujdesen më shumë për lëkurën e tyre”, thekson Regina Beqiri, anëtare e familjes dhe farmaciste, e cila e përdor qumështin e ngrirë për të bërë sapunë, maska dhe produkte të tjera bukurie, që më pas shiten në fermë dhe në farmacinë e saj.
Askush nuk pretendon se është një mburojë antiCOVID-19, por të apasionuarit nuk lëkunden: i përafërt me qumështin e njeriut, qumështi i gomaricës është plot me vitamina dhe elementë që ndihmojnë në forcimin e mbrojtjes natyrore.









































