Kalon ligji për ushtarakët/ Kategoritë që do të përfitojnë falje të borxheve për pensionet, kërkohet zgjerimi i fashës së përfitimit

0
494

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin për faljen e detyrimeve të ish-ushtarakëve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore, të krijuara si diferencë nga rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi, të caktuara sipas vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Kjo bazuar në kriteret e vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Pikërisht neni 1 i projektligjit që shpjegon këtë veprim ka hapur debate mes anëtarëve të komisionit dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Ekonomisë. Sipas zotit Vullnet Sina, ky nen duhet të pësojë ndryshime, pra konkretisht të shtohet edhe një pikë tjetër që kërkon falje të borxheve edhe për ata ish-ushtarakë, të cilët janë debitorë për shkak të përllogaritjeve nga ISSH, kur kanë qenë të punësuar gjatë kohës që trajtoheshin me pension suplementar. Sipas Sinës, nëse Kuvendi nuk vendos edhe për faljen e këtyre të fundit ata do shkojnë në gjykata dhe problemi do të agravojë. Prandaj duhet menduar ky ndryshim sepse edhe nëse do të ketë falje të detyrimeve për të gjithë nuk do krijohet asnjë efekt shtesë në buxhet. Këtë sugjerim të tij e hodhi menjëherë poshtë zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorenson, e cila theksoi se objekt i këtij ligji janë personat që kanë patur çështje gjyqësore dhe të cilët janë të penalizuar nga ndryshimet e shpeshta që ka patur legjislacioni dhe në asnjë moment nuk është thënë se do të falen të gjithë personat që kanë detyrime pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Sipas saj, shumë borxhe janë krijuar për shkak se ata ish-ushtarakë nuk janë treguar të sinqertë me ISSH, kanë shkelur ligjin, i cili thotë në rast se një ish-ushtarak trajtohet me pension suplementar dhe njëkohësisht është i punësuar, pensioni i tij do të jetë më i ulët se të tjerët. “Është e shpjeguar qartë në relacion se, përfitues të këtij ligji janë veç ata që rezultojnë debitorë nga vendimet e prera gjyqësore dhe jo të gjithë ata që kanë dalë debitorë për shkak të arsyeve të ndryshme ndaj ISSH. Kjo nuk do të ishte e drejtë pasi mund të ndodhë që një ish-ushtarak ka punuar edhe diku tjetër, por pranë ISSH ka deklaruar se nuk punon dhe më pas është vërtetuar kjo punë e dytë, dhe në përllogaritje të pensionit që ka marrë sipas rregullave ligjore që ai rezulton debitor ndaj ISSH dhe kjo nuk mund të falet. Me ligj lejohet të punosh edhe gjatë kohës që trajtohesh me pension të parakohshëm, por merr pension më të ulët. Por ata nuk e kanë zbatuar këtë dhe kanë marrë më shumë nga se u takon”, shpjegoi ajo.

Propozime të tjera

Sina e ka vijuar më tej debatin duke thënë se borxhet janë krijuar për shkak të paaftësisë së institucioneve për të shpjeguar ligjin. Sipas tij, detyrimet e prapambetura janë krijuar ndër vite pasi për ushtarakët kanë dalë 11 ligje që askush nuk i merr vesh edhe shpesh i kenë nxjerrë ata në rrugë, sepse kanë qenë të paqartë. Sipas tij, është faji i qeverisë dhe jo i ushtarakëve, që vendos tavane të ndryshme të përfitimit, i cili gjithmonë ka qenë më i ulët se niveli i pagës bazë. Ndër ndryshimet e shpeshta të bëra në ligje kanë krijuar paqartësi edhe për vetë ata sa i përket çështjes së punësimit të ish-ushtarakëve, pasi në një ligj thuhet se mund të punojnë, por me disa kushte, më pas mund të punësohen edhe dy herë. Duke deklaruar se e gjithë kjo situatë është krijuar nga vetë shtetit, Sina këmbënguli në faljen e borxhit për të gjithë ish-ushtarakët. Ndërsa kreu i kabinetit të Kuvendit, Kosta Barjaba, sugjeroi që për këtë herë të fokusohen vetëm tek nisma e Gramoz Rucit, pasi ky i fundit i ka parasysh të gjitha problemet e ish-ushtarakëve dhe po fillohet nga kjo problematikë, për t’u hapur rrugë çështjeve të tjera më vonë. Deputetja Antoneta Dhima, duke qenë vetë një ish-ushtarake, shprehu mbështetjen e plotë të propozimit për faljen e të gjitha borxheve nga ish-ushtarakët. Sipas saj, akumulimi i borxheve ka ardhur nga shumë problematika, prandaj nuk duhet lënë me kaq, por të krijohet një grup pune i posaçëm për shqyrtimin e tyre dhe zgjidhjes njëherë e mirë të kalvarit të gjatë të probleme me ish-ushtarakët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here