Këshilli i Ministrave ka miratuar paketën e barnave për trajtimin ambulator në shtëpi të personave të diagnostikuar me Covid-19, paketë e cila do të financohet nga fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Siç caktohet në VKM, paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Sipas urdhrit të datës 19 Nëntor, të gjithë të prekurit me Covid-19 dhe që kanë një gjendje të lehtë deri të mesme të sëmundjes, do të ndiqen në banesë dhe do të përfitojnë rimbursimin e ilaçeve dhe vitaminave. Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1 650 lekë, ndërsa vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 (dhjetë mijë e nëntëqind) lekë. Urdhri rendit edhe barnat e përcaktuara për trajtim. Një i prekur në formën e lehtë do të marrë paracetamol, aspirinë, ibuprofen, vitaminë D, vitaminë C, azitromicinë dhe levofloxacin. Ndërsa një rast i moderuar, përveç antibiotikëve dhe vitaminave mund të marrë edhe dexamethason 0.5 mg dhe antikoagulant apixaban 5 mg (xarelto) dhe rivaroxaban 15 mg (xarelto). Dy të fundit merren vetëm në rastin kur personi i prekur me Covid ka sëmundje bashkëshoqëruese. Të dy skemat e trajtimit të pacientëve me Covid do të përfitojnë ilaçe falas vetëm për një muaj. “Mjeku i familjes pasi të ketë zgjedhur kategorinë Sars Cov-2 si dhe diagnozën Covid-19 formë e lehtë ose e mesme sipas udhëzimit mbi ndjekjen në shtëpi të rasteve me infeksion të Covid-19 do të bëjë përshkrimin e barnave siç përcaktohet në udhëzim. Kohëzgjatja maksimale e trajtimit do të jetë jo më shumë se 1 muaj dhe nuk do të kalojë vlerën e rimbursimit të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave”, thuhet në vendim. Në vend janë afro 20 mijë raste aktive pozitive me Covid. Më shumë se gjysma janë në kryeqytet, e ndjekur më pas nga Fieri, Durrësi, Korça dhe Vlora.








































