Duke folur për faqen zyrtare online të FIFA-s, trajneri i Kombëtares kuqezi, Edi Reja, ka analizuar punën e tij në krye të përfaqësueses së Shqipërisë, por pa hezituar të përmendë edhe defektet ë e shoqërojnë futbollin shqiptar, defekte që trajneri i përmbledh të lidhura me mentalitetin. Në fillim tekniku foli për arritjet e skuadrës në Ligën e Kombeve, ku kuqezinjtë zunë vendin e parë në grupin e tyre. “Liga e Kombeve ishte një eksperiencë interesante. Çdo skuadër ka një qasje të ndryshme ndaj futbollit, që do të thoshte që duhej të përshtateshim ndaj kundërshtarit në më shumë se një rast. Ne u përgatitëm mirë për ndeshjet tona dhe morëm një përgjigje të mirë nga ekipi. Mua më pëlqeu mënyra se si u përshtatëm në taktika të ndryshme dhe më bëri përshtypje sjellja e lojtarëve të rinj, të cilët treguan vlerat e tyre. Ishte një kënaqësi e vërtetë pasi më duhet të pranoj se isha pak i shqetësuar para këtyre ndeshjeve. Për lojtarët e lindur mes viteve 1999 dhe 2001, të cilët nuk kanë shumë eksperiencë, arena ndërkombëtare mund të ketë qenë një sfidë e madhe, të përfaqësosh vendin tënd është një përgjegjësi e madhe dhe një sfidë e fortë. Por ata u treguan të guximshëm dhe zëvendësuan denjësisht lojtarë që ishin jashtë skuadre për shkak të COVID-19 apo dëmtimeve”, tha trajneri. Më pas ai komenton anët pozitive dhe negative të grupit. “Mua nuk më pëlqeu fakti se ne humbëm përqendrimin pasi fituam një ndeshje dhe nuk treguam aq shumë vendosmëri. Nuk mund të relaksohesh dhe të humbasësh përqendrimin në këto nivele, pasi atëherë ti nuk jep më maksimumin, dhe kjo i jep edhe kundërshtarëve më të dobët mundësinë për të të goditur. Kur jemi të relaksuar ne na mungon agresiviteti që na nevojitet për të arritur rezultate. Ne ishim në telashe ndaj Bjellorusisë, duke pësuar një gol budalla pasi ishim në avantazh 2-0. Nëse ne duam të rritemi dhe të bëhemi më të mirë, ne duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje dhe të jemi më të fokusuar”, theksoi më tej Reja. për veteranin italian të pankinës ka vend edhe rreth komentit të tij për objektivat në Katar-2022. “Ne kemi treguar se jemi një ekip konkurrues. Objektivi ynë është që të përmirësohemi sa më shumë që të jetë e mundur. Ne duhet të vendosim si objektiv kualifikimin dhe ta kthejmë këtë në një ëndërr tonën, pasi duhet të besosh në objektivat e tu. Nëse kjo skuadër beson dhe më ndjek mua, atëherë mund të arrijë gjëra të mëdha. Rruga jonë padyshim do të përcaktohet nga shorti, por ëndrrat mund të bëhen realitet. Nëse nuk e beson, atëherë nuk mund të bësh gjëra të mëdha”, vijoi trajneri Reja.
Vlerësimi për futbollin shqiptar: Është në progres
I pyetur nga faqja e FIFA-s për futbollin në Shqipëri, Reja vë në dukje punën e mirë të federatës, sidomos me investimet në infrastrukturë. “Futbolli shqiptar po rritet gjatë gjithë kohës dhe Federata meriton mirënjohje për punën që po bën, sidomos nëpërmjet investimeve në infrastrukturë dhe zhvillimin e burimeve njerëzore. Kam qenë në shumë ndeshje dhe niveli është i mirë, por ka vend për përmirësim nga pikëpamja taktike. Duhet bërë shumë sa i përket mendësisë, planit të ndeshjes dhe përgatitjes fizike. Kam pasur një karrierë të gjatë si trajner, tani janë bërë 41 vite, dhe mendoj se mora gjithçka që desha nga futbolli i klubeve. Kisha arritur limitin tim, por jo sa i përket motivimit dhe ambicieve. E kam nisur me klube të vogla dhe gradualisht kalova në skuadra më të mëdha. Dua të jem i sinqertë dhe them se unë kam arritur gjithmonë objektivat që kërkoja. Nuk kam dështuar asnjëherë. Kishte ardhur momenti të thosha “stop”. Unë dëshiroja të drejtoja një ekip kombëtar pasi ishte pjesa e fundit që mbetej për të kompletuar eksperiencën time futbollistike. Kur Shqipëria më bëri një ofertë, isha shumë i lumtur ta pranoja, Dëshiroja të dija si është të drejtosh një ekip kombëtar dhe problemet që lindin me të, pasi sigurisht nuk është njëlloj si të drejtosh një klub, kur ke lojtarët në dispozicion gjatë gjithë kohës. Me një ekip kombëtar, ke vetëm një javë apo 10 ditë për t’i stërvitur dhe duhet që shpejt të kuptosh se kush është në formë e kush jo, është një punë shumë stimuluese”, nënvizoi më tej trajneri Reja.