Mateus: Maradona më ftoi të vishja bluzën e Napolit, më solli një valixhe me para që të pranoja

0
301

Më 25 nëntor u nda nga jeta një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave, Diego Armando Maradona, i cili pësoi një atak kardiak, vetëm dy ditë pasi kishte lënë spitalin si pasojë e një operimi në kokë. Ndarja nga jeta e “Pibe D’Oro”-s ishte një shok për sportdashësit anembanë botës, pasi fama e Maradonës, trashëgimia e tij sportive, ishte shumë e madhe. Prej disa ditësh, figura të mëdha të futbollit botëror, pushtojnë faqet e para të medieve me histori personale nga më të pabesueshmet me Maradonën. Së fundmi ka folur dhe ish-kapiteni i Gjermanisë, Lotar Mateus, njeriu që u përball në dy finale botërori me argjentinasin, në Meksikë-1986 dhe Italia-1990. Lotar Mateus, legjenda gjermane dhe ish-futbollisti i Bajern Mynih e Inter, së fundmi ka treguar një prapaskenë me Diego Armando Maradonën. Në vazhdën e kujtimeve për argjentinasin, Mateus ka treguar se ai e donte në Napoli dhe se në Mynih organizuan një takim sekret, teksa drejtues të Napolit u paraqitën për t’i transmetuar përshëndetjen e Maradonës dhe një valixhe me para gjithashtu. “Njiheshim pak me Diegon, por ai dërgoi një delegacion nga Napoli në Mynih për të më takuar. Ishim në një restorant italian, i cili të shtunave ishte i mbyllur, por atë ditë ishte hapur vetëm për takimin sekret me përfaqësues të Napolit. Kur u futa në restorant në orën 21:00, katër italianë dhe një valixhe më prisnin mua dhe agjentin tim. Drejtuesit e Napolit më dërguan përshëndetjen e Diegos. Më kërkuan të firmosja për to, teksa në valixhe ishin një milionë marka. Ato para ishin sa trefishi i atyre që fitoja te Bajern. E refuzova, por ai gjest i Diegos për mua ishte vërtet shumë i rëndësishëm”, u shpreh Mateus. Ndërkohë, në Argjentinë ka njerëz ende që nuk e besojnë se “Dora e Zotit” nuk jeton më. Kështu, Karlos Bilardo, trajneri i Argjentinës kampion bote në vitin 1986, ende nuk e di që Diego Armando Maradona ka vdekur. Situata është delikate sepse për të Diego ishte si djali i tij dhe një lajm i tillë mund të ketë pasoja serioze në shëndetin e tij. Bilardo është 82 vjeç dhe vuan nga një sëmundje neurodegjenerative, sindroma Hakim-Adams. Vëllai i tij, Jorge, zbuloi se në fillim anëtarët e familjes kishin menduar të mos i tregonin, por tani ata e kanë kuptuar se është shumë e vështirë ta fshehësh një lajm kaq të madh për shumë kohë. Kjo është arsyeja pse ata vendosën t’ia zbulonin, duke përdorur të gjitha masat e nevojshme paraprake. Detyra e “rrëfimit” të lajmit të kobshëm mund t’i besohet Oskar Ruxherit, ish-futbollist i asaj Argjentine kampione bote, mbase së bashku me dy ish-lojtarë të tjerë që kanë mbetur shumë të lidhur me Bilardon. Në fund, vëllai i tij, Jorge, zbuloi se Karlos tani jeton në një apartament afër familjes së tij dhe se ai i kalon ditët e tij duke parë seriale në Netflix. 82-vjeçari është veçanërisht i tërhequr nga seriali i Pablo Eskobarit, por ai nuk shikon kanale televizive, prandaj ende nuk di asgjë për Maradonën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here